Në Gjykatën e Sarandës po zhvillohet sot, 21 gusht, seanca për caktimin e masave të sigurisë për 12 personat e arrestuar në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Mendes, pas sherrit të ndodhur në lokalin “Princepotes” në Ksamil. Në mesin e të arrestuarve është edhe Sokrat Vata, i akuzuar si autor i dyshuar i ngjarjes, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim dhe do të gjykohen në mungesë.
Të arrestuarit janë sjellë në ambientet e gjykatës nën masa të rrepta sigurie, të shoqëruar nga forcat “Shqiponja” dhe FNSH.
Në momentin e mbërritjes së tyre, jashtë gjykatës ndodheshin edhe familjarë e të afërm të Sokrat Vatës. Në pamjet e siguruara, një grua dëgjohet duke i thënë: “Sokrat, jemi këtu o shpirt”.
Ndërkohë, një tjetër person, një burrë, e ka thirrur në turqisht: “Sokrat, abi”, që në shqip përkthehet “Sokrat, vëlla”.
Sokrat Vata përballet me akuzën e vrasjes, ndërsa ndaj të arrestuarve të tjerë janë ngritur akuza të ndryshme, mes tyre “përkrahje të autorit të krimit”, “moskallëzim krimi” dhe “mosmarrja e masave për ndërprerjen e paligjshmërisë”.
Seanca gjyqësore për caktimin e masave të sigurisë vijon prej më shumë se një ore.
Sipas grupit hetimor, nga veprimet hetimore rezulton se:
Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez Luis Mendes, 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi David Heurtevent, (David Gjana) tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa shtetasit Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi Sokrat Vata, dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Me flokët e gjatë lëshuar dhe i qetë mes policëve,
Viktima Luis Miguel Varela Mendes
Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit Miosid Matushaj (punonjës policie D. R. K. M. Gjirokastër), Luciano Seferi (punonjës i I. E. V. P. Fier), Romeo Shehu (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe Kristi Koshi, të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, shtetasi Bekim Bulica, i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit Sokrat Vata dhe David Heurtevent, për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani, Murat Zhabina, Luciano Seferi, Kristi Koshi, Bekim Bulica dhe Romeo Shehu, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin Miosid Matushaj, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
© Newsbomb.al

Comments are closed.