Luiz Ejlli po bëhet gati për rikthimin e tij në ekranin e Top Channel, këtë herë jo si konkurrent apo i ftuar, por në drejtimin e një formati të tij televiziv.
Top Channel ka publikuar pamjet e para promovuese të projektit, duke zbuluar edhe emrin që do të mbajë emisioni: “Live me Luizin”. Në postimin e televizionit shkruhet: “‘Live me Luizin’, së shpejti në ekranin e Top Channel…”

Formati ishte paralajmëruar më herët edhe nga vetë Luizi. Gjatë një interviste në “Fiks Fare”, ai tregoi se bëhet fjalë për një projekt që kishte dashur prej kohësh ta realizonte dhe se do të transmetohet një herë në javë, të premten në mbrëmje.
“Unë do filloj një projekt që e kam pas gjithmonë ëndërr ta bëj. Do të jetë një herë në javë, të premten në darkë”, është shprehur Luizi.
Ai kishte zbuluar gjithashtu se programi do të jetë një “Prime Night”, me muzikë live dhe të ftuar të njohur.
“Do të jetë një ‘Prime Night’. Do të transmetohet një herë në javë dhe njerëzit do ta shohin e do të flasin për të çdo ditë”, kishte treguar ai.
Tashmë emri është bërë publik, por mbetet ende një detaj i rëndësishëm: data e premierës. Në njoftimin e fundit, Top Channel është mjaftuar me përcaktimin “së shpejti”, pa bërë publike një datë konkrete për transmetimin e parë.
“Live me Luizin” shënon kështu një etapë të re për fituesin e “Big Brother VIP Albania 2”, i cili pas suksesit në reality show do të provojë tashmë veten në drejtimin e një programi të tij në prime time.

Comments are closed.