Mimoza Ahmeti ka ndarë me ndjekësit një lajm të dhimbshëm familjar. Babai i saj është ndarë nga jeta, ndërsa ajo e ka përcjellë humbjen përmes një mesazhi tejet emocional, ku ka kujtuar dashurinë, sakrificat dhe rolin e tij në jetën e saj.
Në fjalët e publikuara, Ahmeti shkruan se humbja e të atit i ka lënë një boshllëk të madh, duke e përshkruar atë si një prej shtyllave më të forta të jetës së saj.
“Sot u shua një pjesë e zemrës sime… Sot humba babanë tim të shtrenjtë”, shkruan ajo në fillim të mesazhit.
Ahmeti thekson se në çdo arritje të saj ka qenë e pranishme puna, dashuria dhe sakrifica e babait, duke shprehur njëkohësisht shpresën se ai ka qenë krenar për rrugëtimin dhe gjithçka që ajo ka arritur në jetë.
“Ti ishe një nga shtyllat më të forta të jetës sime, një pjesë e pandarë e asaj që jam. Në çdo hap që kam hedhur, në çdo arritje dhe në çdo gjë të mirë që kam ndërtuar, ka diçka nga ti”, shprehet ajo.
Mesazhi bëhet edhe më prekës kur Mimoza kujton nënën e saj, e cila gjithashtu nuk jeton më. Ajo i drejtohet të atit me një lutje të fundit, që, sipas besimit dhe shpresës së saj, tashmë të ribashkohet me bashkëshorten e ndjerë.
“Kur ta takosh nënën, përqafoje fort për mua. Thuaji se më ka munguar çdo ditë dhe se dashurinë për ju të dy e kam mbajtur gjithmonë të gjallë në zemrën time”, shkruan Ahmeti.
Ajo shprehet se tashmë të dy prindërit e saj janë sërish bashkë, ndërsa asaj i mbeten kujtimet, malli dhe dashuria për ta.
“Ndoshta nuk mund t’ju kem më pranë, por do t’ju mbaj gjithmonë me vete — në zemrën time, në shpirtin tim, në çdo fjalë të mirë që do të them dhe në çdo hap që do të hedh”, vijon mesazhi.
Në fund, Mimoza Ahmeti i jep lamtumirën babait me fjalë që kanë prekur ndjekësit e saj:
“U prehsh në paqe, babi im. Përqafoje nënën fort për mua… Dhe, nëse mundeni, më ruani të dy nga lart. Ju dua sot, nesër dhe përtej çdo kohe. Përjetë vajza juaj.” 🖤🕊️
Humbja e një prindi mbetet një prej dhimbjeve më të mëdha, ndërsa mesazhi i Ahmetit është një dedikim i mbushur me mall dhe mirënjohje për dy njerëzit që, siç shprehet ajo, do të vazhdojë t’i mbajë gjithmonë në zemër.

Comments are closed.