Skip to content

E bujshme! Edi Rama jep lajmin e madh: Do japim 4000 mijë shtëpi për çiftet e reja, ja kushtet e kredive

Kreu i qeverisë Edi Rama ka marrë pjesë ditën e sotme në eventin për prezantimin e Programit Kombëtar të Strehimit për Shqipërinë “Rilinda 2.0”. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë bëri të ditur 6 pikat e këtij programi, të cilat do t’u vijnë në ndihmë qytetarëve sa i përket strehimit të tyre.

Sipas Ramës, 4 mijë çifte të reja do të pajisen me çelësat e banesave, ndërsa do të jepen 2 mijë kredi me interes zero për apartamente me vlerë deri në 60 mijë euro. Dy mijë kredi të tjera do të ofrohen me interes 3% për apartamente me vlerë mbi 60 mijë euro.

Programi i ri parashikon gjithashtu zgjerimin e skemës së banesave sociale me qira, përmes ndërtimit të banesave të reja, blerjes së tyre në treg, përshtatjes së objekteve shtetërore apo të konfiskuara, si dhe përdorimit të partneriteteve publike-private.

Një tjetër komponent është mbështetja për banesat me kosto më të ulët, përmirësimi i banesave ekzistuese për familjet vulnerabël dhe ndërhyrjet infrastrukturore në zonat informale.

Në kuadër të programit do të krijohen edhe zona të reja strehimi, të konceptuara për të gjitha shtresat e shoqërisë, ndërsa një tjetër pikë lidhet me ndërtimin e banesave të përkohshme për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore.

Pjesë e “Rilinda 2.0” janë edhe banesat e përshtatura për personat me aftësi të kufizuara, me synim krijimin e kushteve më të përshtatshme dhe të aksesueshme për jetesë.

Rama e cilësoi programin si pjesë të një reforme më të gjerë strukturore në fushën e strehimit, ndërsa bëri të ditur se drafti ligjor për këtë reformë pritet të kalojë së shpejti në konsultim publik dhe më pas në Kuvend.

“Kështu që Rilindja 2.0 është një vizion i ngritur në një nivel tjetër në një sërë aspektesh dhe strehimin e ka aspektin e vet thelbësor. Janë gjashtë programe të reja të cilat ne do t’i adresojmë të gjitha së bashku dhe kur them të reja nuk kam parasysh shpikje, pasi janë terma të njohur, por janë të ambalazhuar së bashku në një reformë tërësore, siç e thashë”, tha Rama ndër të tjera.

Pjesë nga fjala e kryeministrit:

Së pari nuk është një program i ri kombëtar thjesht dhe vetëm financiar. Por është një program i ri kombëtar si mishërim i një reforme strukturore shumë të thellë e cila tanimë ka marrë formën e draftit ligjor, së shpejti do të kalojë në konsultim publik dhe pastaj në parlament për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme dhe gjithmonë më të mprehtë për shkak të vështirësive që hasin familjet e reja dhe të rinjtë në tërësi në rrugën e marrjes së një shtëpie. Të jem shumë i qartë që kjo nuk është një temë e nxehtë dhe thjesht e vetëm në Shqipëri.

Ky nuk është një problem thjesht dhe vetëm lokal, ky është një problem i madh europian dhe jo vetëm është një problem i madh europian dhe sa më të zhvilluara të jenë vendet e Europës, aq më i madh është problemi. Ky është një nga ato rezultatet të zhvillimit të këtyre viteve me të cilat duhet të përballemi në një formë tjetër. Sepse tanimë zhvillimi i dekadës së fundit ka ndryshuar tërësisht optikën e njerëzve lidhur me vendin dhe me vendin e tyre në këtë vend. Kështu që Rilindja 2.0 është një vizion i ngritur në një nivel tjetër në një sërë aspektesh dhe strehimin e ka aspektin e vet thelbësor. Janë gjashtë programe të reja të cilat ne do t’i adresojmë të gjitha së bashku dhe kur them të reja nuk kam parasysh shpikje, pasi janë terma të njohur, por janë të ambalazhuar së bashku në një reformë tërësore, siç e thashë.

Programi i parë është programi i banesave sociale me qira, është një skemë e mirënjohur e përdorur ndër vite, por të cilën ne dhe faktikisht dhënia e banesave me qira do të jetë një program i cili do të bëhet më kompleks dhe do thjesht dhe vetëm prit të ndërtohet edhe pastaj të kesh shansin të marrësh një banesë në një radhë të gjatë ku nuk i dihet si përfundon seleksioni. Banesat sociale me qira do të parashikojnë ndërtim të ri, blerje të drejtpërdrejtë nga tregu, përshtatje të objekteve shtetërore ose të objekteve të konfiskuara dhe këtu dua të përsëris që kemi konfiskuar jo pak objekte dhe do të konfiskojmë çdo objekt që shkel rregullat për lejet e ndërtimit dhe patjetër bonusi në qira, por po ashtu partneritetin publik-privat. Do të përdorim të gjitha instrumentet për të garantuar një ofertë shumë më të gjerë nga ana e shtetit për ata që duhet dhe do të mund të marrin banesë sociale me qira.

Pastaj është banesa me kosto më të ulët, i cili lidhet me subvencionin nga ana e shtetit të kredisë, duke pasur parasysh që banesa e kredituar të hyjë në kategori e banesave me kosto të ulët dhe për këtë ka një kategorizim të mirëpërcaktuar.

Pastaj vijmë te përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël, si dhe një projekt, një program i veçantë infrastrukture në zonat informale dhe për të adaptuar banesa të caktuara si banesa sociale. Programi ka një zhvillim të ri me zhvillimin e zonave të strehimit dhe këtu nuk flasim vetëm për banesat sociale në kuptimin vetëm për ata në nevojë, por flasim për të gjitha shtresat e shoqërisë, s’duam të krijojmë një bllok banimi vetëm për njerëzit e varfër, por për të gjitha shtresat, ndërkohë që ata më të varfërit do të kenë mbështetje për të jetuar aty, ata më të kamurit do të blejnë aty.

Zonat e strehimit do të synojmë të jenë zona cilësore në çdo aspekt. Dhe për këtë do të shërbejë dhe reforma strukturore. Shumë shpejt ne do të fillojmë në Tiranë me këtë program të ri dhe kemi në shqyrtim një sërë zonash të tjera në Bashki të tjera, ku natyrisht janë të ftuar të gjithë kryetarët e bashkive të bëjnë propozimet e tyre.

Programi tjetër është ai i banesave të përkohshme, do të duhet të ndërtojmë banesa të përkohshme në kuptimin e të pasurit në dispozicion një infrastrukturë e gatshme nga njerëzit e prekur nga fatkeqësitë natyrore.

Dhe programi i gjashtë është i atyre që mund t’i quajmë banesa të veçanta, të cilat janë banesa të përshtatura për familjen me persona me aftësi të kufizuara apo për individët me aftësi të kufizuara.

Published inBank

Comments are closed.