Skip to content

Edi Rama bëri lojëra të mëdha me kufijtë e Kosovës, tani lan duart si Ponc Pilati”, Berisha zbulon prapaskenën me Hillary Clinton

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bisedë me gazetarin Blendi Fevziu, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka futur Kosovën në “lojëra të mëdha” që çuan deri te krijimi i Gjykatës Speciale, dhe se sot po bën teatër duke larë duart si Ponc Pilati.

Berisha tha se deri në vitin 2013 nuk kishte asnjë diskutim për gjykatën dhe as për ndryshime kufijsh, sepse Tirana nuk kishte patronazh mbi Kosovën.

“Këta filluan lojëra të mëdha dhe këto lojëra të mëdha i bëri Edi Rama. Këta filluan lojëra të ndarjes së territoreve, ndarjes së kufijve, ato para ngritjes së aktakuzës. Deri në vitin 2013 s’pati asnjë gjë. Nuk bëhej sepse nuk kishte patronazh Shqipëria, Tirana mbi Kosovën”, u shpreh Berisha.

Ai kujtoi qëndrimin zyrtar të qeverisë së tij ndaj raportit të Dick Martyt, duke thënë se Tirana e ka konsideruar gjithmonë shpifje të frymëzuar nga serbët dhe rusët. Berisha zbuloi edhe një episod me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila sipas tij i kishte kërkuar një deklaratë mbështetëse për një marrëveshje që negociohej në Bruksel.

“Më ka kërkuar njëherë Hillary Clinton që të bëja një deklaratë. I thashë: zonja sekretare, unë atë nuk mund ta bëj. Do ta bëj pasi ta firmosin. Kosova kishte nevojë për sovranitet dhe jo vasalitet dhe nuk kishte nevojë që t’i diktonte Sali Berisha as Edi Rama”, tha ai.

Duke folur për themelin ligjor të akuzave ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Berisha hodhi poshtë tezën e linjës komanduese. Sipas tij, Thaçi dhe Krasniqi kanë qëndruar gjatë luftës në Shqipëri, madje në hotel Rogner, dhe nuk mund të flitet për një zinxhir komandues të zhdërvjellët. Ai e krahasoi rastin me dënimin e ish-shefit të shërbimit sekret serb, Jovica Stanishiq, me 6 vite burg, megjithëse kishte bashkëpunuar me CIA-n.

“Nuk mund të isha dakord kurrë që të përdorej linja e komandës. Këta ishin bashkëpunëtorë të hapur, publikisht, krahu i aleatëve. Këta kanë qenë në Rogner, zotëri. Të pretendosh se këta kishin linjë komande nuk është absolutisht e vërtetë”, deklaroi Berisha.

Kritikën më të fortë Berisha e bëri për paraqitjet e Ramës në Washington dhe në Këshillin e Europës. Sipas tij, Rama e përmendi çështjen e Speciales aty ku nuk duhej dhe në një mënyrë që publiku e ngatërroi me Vjosa Osmanin.

“Çfarë nevoje kishte ky për teatralitetin që bëri në Washington? E përmendi para presidentit aty ku s’duhet ta përmendte në asnjë mënyrë. Ai e bëri sa për të larë gojën dhe e bëri në një mënyrë shumë të shplarë. Lau duart si Ponc Pilati. Ky është kryetar qeverie, ka çdo të drejtë t’i drejtojë një letër presidentit të SHBA, jo të bëjë teatër”, tha Berisha.

Ai shtoi se e njëjta skenë u përsërit në Këshillin e Europës, kur prokuroria ndërkombëtare hodhi poshtë akuzën për trafik organesh, moment që sipas Berishës duhej shfrytëzuar nga Shqipëria për të kërkuar korrigjimin e rezolutës së Dick Martyt.

“Shqipëria kishte çdo të drejtë ligjore dhe diplomatike të kërkonte modifikimin e rezolutës. Çfarë bëri ky? Shkoi aty sikur të ishte i biri i Enver Hoxhës ose Gedafit, filloi të shajë deputetët. Saqë i anulluan drekën. S’ka ndodhur kurrë në Këshillin e Europës. Dreka anullohet”, përfundoi Berisha.

Published inBank

Comments are closed.