Pas gati 27 vitesh pritje, tre familje nga Skenderaj kanë marrë përgjigjen për fatin e familjarëve të tyre. Bëhet fjalë për tre viktimat e para të identifikuara nga varrezat masive të zbuluara në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, veriu i Kosovës.
Sipas autoriteteve, pas analizave të ADN-së të kryera në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) në Hagë, janë identifikuar Idriz Rrecaj, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu.
Të tre bënin pjesë në të ashtuquajturin “Grupi i Intelektualëve”, 23 qytetarë shqiptarë, kryesisht nga Skenderaj dhe Mitrovica, mjekë, profesorë, avokatë dhe veprimtarë, të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë nga forcat serbe më 19 prill 1999.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri Albin Kurti nga Shtetet e Bashkuara nga ku ndodhet për Ansamblenë e OKB-së.
Kurti tha se nga raportet e ADN-së del se personat kanë lidhje me “Grupin e Intelektualëve”, dhe se familjarët janë njoftuar menjëherë nga Komisioni Qeveritar për personat e Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Emrat u konfirmuan nga familja e Idriz Rrecajt, i cili në vitin 2019 është dekoruar me titullin “Hero i Kosovës”, ishte veprimtar i njohur politik nga Skenderaj. Djali i tij Shpëtim Rrecaj shkroi në Facebook: “Pas 27 vjetësh pritje, dhimbje dhe pasigurie, morëm lajmin… Pyetjes ‘Ku është Idriz Rrecaj?’ i erdhi fundi. Gjaku nuk humb kurrë”.
Kujtojmë se kërkimet në Zubin Potok nisën në fund të korrikut 2026, pas informacioneve operative dhe një hetimi 7-vjeçar të Prokurorisë Speciale të Kosovës për krime lufte. Më 27 korrik u konfirmua gjetja e varrit të parë masiv në Kalludër, ndërsa më 21 gusht autoritetet njoftuan përfundimin e gërmimeve në tri lokacione në Kalludër e Vogël dhe Jabukë.
Sipas Prokurorisë Speciale, në tri varret masive janë gjetur mbetje mortore të të paktën 23 personave, shifër që përkon me numrin e “Grupit të Intelektualëve”. Për këtë rast janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim tre persona nën dyshimin për krime lufte.
Hetuesit dyshojnë se trupat janë varrosur atje për të fshehur krimin dhe për të humbur gjurmët, pasi zona ka qenë nën kontroll të plotë të forcave serbe. Instituti i Mjekësisë Ligjore dërgoi 10 mostrat e para në Hagë në fund të gushtit, ndërsa procesi i identifikimit pritet të vazhdojë në ditët dhe javët në vijim, edhe pse mund të komplikohet nga degradimi i ADN-së pas 27 vitesh.

Comments are closed.