Skip to content

36-vjeçari shqiptar u vra në Itali teksa po vidhte, flet gruaja e tij: Jam e shkatërruar, fëmija ngeli jetim, ai e bëri sepse

rasja e 36-vjeçarit me origjinë shqiptare, Gjovalin Lazri, në provincën e Cuneos në Itali, ka sjellë reagimin e partneres së tij, e cila kërkon që hetimet të sqarojnë plotësisht atë që ndodhi natën kur ai humbi jetën.

Përmes avokates së saj, gruaja ka përcjellë një mesazh në të cilin kundërshton gjykimet e bëra pas ngjarjes dhe thekson se askush nuk mund të konsiderohet si person që meriton të vritet.

“Dëgjojmë dhe lexojmë shumë gjëra, por dua të them se nuk ekzistojnë njerëz të mirë dhe njerëz të këqij. Nuk ka njerëz që meritojnë të vdesin apo të tjerë ndaj të cilëve është e drejtë të qëllohet”, është shprehur ajo.

Partnerja e Lazrit, me të cilin ka një fëmijë, ka folur edhe për pasojat që vdekja e 36-vjeçarit ka lënë në familjen e tyre. Ajo kërkon që autoritetet italiane të përcaktojnë me saktësi dinamikën dhe përgjegjësitë për ngjarjen.

“Djali im nuk ka më baba dhe unë jam e shkatërruar nga dhimbja. Dua që e gjithë e vërteta të dalë në dritë. Kërkoj vetëm që drejtësia të bëjë punën e saj”, ka deklaruar ajo.

Lazri u vra gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës në Baldissero d’Alba. Ngjarja lidhet me një banesë që ishte në proces rikonstruksioni dhe që dyshohet se ishte bërë objekt i një tentative vjedhjeje.

Në kuadër të hetimeve, Prokuroria italiane ka regjistruar si person nën hetim 35-vjeçarin Roberto Mollo, pronarin e objektit. Ai po hetohet për vrasje me dashje, ndërsa do të jetë procesi hetimor ai që do të përcaktojë rrethanat dhe përgjegjësitë penale.

Gjovalin Lazri ishte 36 vjeç dhe kishte emigruar nga Shqipëria drejt Italisë. Ai jetonte së bashku me familjen në periferi të veriut të Torinos dhe punonte si barist.

Pas ngjarjes, disa prej personave që e njihnin kanë treguar për mediat italiane se lajmi i kishte befasuar. Fqinjët e kanë përshkruar familjen e tij si të rezervuar dhe pa probleme të njohura në zonën ku jetonte.

“Një familje e mirë, shumë e rezervuar. Nuk dimë shumë për ta, flasin pak, i shohim gjithmonë me fëmijën. Por nuk ka pasur kurrë probleme”, kanë deklaruar disa prej tyre.

Edhe një klient i lokalit ku punonte Lazri tha se ishte habitur kur kishte mësuar për rrethanat e raportuara të ngjarjes.

“Më vjen keq, nuk e dija që merrej me këto gjëra, më duket e çuditshme. Nuk e prisja”, është shprehur ai, duke iu referuar pretendimeve se 36-vjeçari mund të kishte qenë i përfshirë në tentativën e vjedhjes.

Hetimet e autoriteteve italiane vijojnë për të rindërtuar atë që ndodhi dhe për të verifikuar rolin e personave të përfshirë.

Published inBankCredit Cards

Comments are closed.