Një zhvillim i ri, që lidhet me hetimin ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ngre pikëpyetje edhe mbi atë se çfarë dinte Kryeministri Edi Rama për komunikimet e saj me Ergys Agasin.
Sipas burimeve jozyrtare për Redaksia.al, Edi Rama është informuar nga shërbime partnere për komunikimet e Hysenit me Agasin dhe për dyshimet se ish-drejtuesja e SHISH po i përcillte këtij të fundit të dhëna që lidhen edhe me lëvizjet dhe takimet e Kryeministrit.
Burimet pretendojnë se sinjalizimi i ka ardhur Ramës nga pala italiane, në kuadër të komunikimeve mes shërbimeve partnere. Sipas këtij informacioni, Kryeministri është vënë në dijeni se komunikimet dhe informacionet që dilnin nga rrethi i drejtimit të SHISH nuk ishin thjesht të natyrës institucionale, por përfshinin edhe të dhëna që lidheshin me aktivitetin e tij politik dhe takimet zyrtare.
Ky zhvillim merr rëndësi në dritën e detajeve të bëra publike gjatë orëve të fundit mbi komunikimet Hyseni–Agasi. Sipas raportimeve mediatike, ish-drejtuesja e SHISH dyshohet se e informonte Agasin për takime të saj me Edi Ramën dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, si dhe për emërime dhe lëvizje politike.
Në një tjetër zhvillim, mediat kanë raportuar se komunikimet mes Hysenit dhe Agasit janë kryer edhe përmes aplikacionit “Signal”, ndërsa në materialet e hetimit përmenden qindra komunikime dhe të dhëna që dyshohet se janë siguruar për shkak të funksionit të saj në krye të SHISH.
Nëse informacioni për sinjalizimin nga shërbimet italiane konfirmohet, çështja merr një dimension tjetër: Kryeministri mund të ketë qenë informuar nga një shërbim partner se në rrethin e tij kishte rrjedhje informacioni dhe se një pjesë e këtyre të dhënave dyshohej se po i përcilleshin Agasit.
Deri tani, ky informacion nuk është bërë publik përmes një njoftimi zyrtar nga qeveria shqiptare, SHISH, shërbimet italiane apo SPAK dhe mbetet një informacion i raportuar nga burime jozyrtare për Redaksia.al.
Ndërkohë, hetimi ndaj Hysenit vijon. Ajo është pezulluar nga detyra dhe ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Prokuroria dyshon se ajo ka vënë në dispozicion të Agasit informacione të siguruara për shkak të funksionit të saj në krye të SHISH.
Pyetja që mbetet tashmë është nëse sinjalizimi i pretenduar nga partnerët italianë ka qenë një paralajmërim për Kryeministrin mbi rrjedhjen e informacionit nga një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë së vendit dhe, mbi të gjitha, çfarë informacioni konkret dyshohet se kishte kaluar në duart e Agasit./Redaksia.al

Comments are closed.