Skip to content

Mërtiri dorëzohet në Austri me “provat e që djegin Ramën?”/ A është ai dëshmitari që pritet të tronditë Tiranën?

Dy zhvillime brenda së njëjtës ditë, të dyja me epiqendër Austrinë, ngrenë një pikëpyetje të fortë rreth Mirel Mërtirit dhe aferës së inceneratorëve: a është pikërisht ai shqiptari mbi dëshminë e të cilit po ndërtohet dokumentari investigativ që paralajmëron publikimin e emrave, pagesave dhe gjurmëve të parave?

Mbrëmjen e kësaj të mërkure, në ditën e 116-të të protestës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, aktivisti Edison Lika deklaroi se Mirel Mërtiri është dorëzuar ose është kapur në Austri dhe foli konkretisht për “provat e inceneratorëve”.

“Sot në Austri është dorëzuar ose është kapur edhe Mirel Mirtëri megjithë provat e inceneratorëve. Dalëngadalë e ditë pas ditë e kemi gërryer pushtetin e kësaj qeverie”, deklaroi Lika.

Pretendimi nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga autoritetet shqiptare apo austriake. Por ai vjen vetëm disa orë pasi u publikuan fragmentet e para të një investigimi që po përgatitet pikërisht në Austri dhe që bazohet në dëshminë e një personi nga Shqipëria, identiteti i të cilit mbahet sekret.

Në qendër të dokumentarit është regjisori dhe producenti austriak Frederik Füssel. Materiali i bërë publik tregon Füssel përballë dëshmitarit shqiptar, ndërsa në duart e tij ndodhet një USB që, sipas dëshmitarit, përmban të dhëna për pagesa, emra, shuma parash dhe arsyet përse janë kryer këto pagesa.

Gazetari: Pra çfarë ka në këtë USB?

Dëshmitari: Të gjitha të dhënat, të gjitha pagesat…

Gazetari: Pra, nëpërmjet kësaj USB mund të shkosh tek të gjitha…?

Dëshmitari: Të gjithë njerëzit që unë po akuzoj sot.

Gazetari: Pra këtu ke emrat?

Dëshmitari: Ke emra, shumën e parave, ke të dhëna, ke dhe arsyet se pse janë paguar këto para tek ata…

Pikërisht këtu dy zhvillimet e së njëjtës ditë kryqëzohen: nga njëra anë, në Austri ndodhet një dëshmitar shqiptar që ka dorëzuar materiale mbi pagesa dhe persona që ai akuzon për korrupsion; nga ana tjetër, Lika deklaron se po në Austri është dorëzuar ose kapur Mirel Mërtiri dhe e lidh atë drejtpërdrejt me “provat e inceneratorëve”.

Kjo përputhje të çon natyrshëm në përfundimin se personi që ka folur për dokumentarin është vetë Mërtiri.

Ndërkohë, gjatë protestës, Edison Lika e lidhi zhvillimin me hetimet e fundit të SPAK, duke theksuar se presioni i protestave ka dhënë rezultat.

“A mendoni se do ishte Ergys Agasi po të mos ishte kjo protestë? A mendoni se drejtoresha e SHISH do i ishte në arrest shtëpia po të mos ishte kjo protestë? A mendoni se e radhës do të jetë Belinda Balluku pikërisht pas kësaj protestës?! A mendoni se bashkë me Ballukun e ka radhën edhe Edi Rama? Qëndresa jonë i ka dhënë rezultatet e veta. Sot në Austri është dorëzuar ose është kapur edhe Mirel Mirtëri megjithë provat e inceneratorëve. Dalëngadalë e ditë pas ditë e kemi gërryer pushtetin e kësaj qeverie”, tha Lika.

Tashmë mbeten dy pikëpyetje që kërkojnë konfirmim: nëse Mirel Mërtiri është vërtet dorëzuar apo ndaluar në Austri dhe nëse ai është personi që qëndron pas dëshmisë dhe materialeve mbi të cilat po ndërtohet investigimi i Frederik Füssel. Përkimi i vendit dhe momentit i lidh fort dy zhvillimet, por përgjigjja përfundimtare pritet nga konfirmimet zyrtare dhe publikimi i plotë i investigimit.

Published inBank

Comments are closed.