Skip to content

Ambasadori Amerikan nuk e takoi! Sondazhi që ka tronditur Edi Ramën: PS po doli në votime humb zgjedhjet! Dalin detajet

Matja e porositur nga kryeministri e nxjerr mazhorancën pa numrat për të qeverisur; Eric Wendt nuk e takoi pas kthimit nga SHBA-ja, ndërsa Uashingtoni dhe Berlini bëjnë gati sinjalet e tetorit…

Një sondazh i brendshëm, që Edi Rama ka zhvilluar në territor, mësohet se ka prodhuar rezultate dramatike për mazhorancën. Sipas tij, Partia Socialiste humbet Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin. Ajo fiton Shkodrën, ndërsa rrezikon të humbasë edhe Vlorën.

Sondazhin e ka realizuar një organizatë e ndryshme nga ato që mazhoranca ka përdorur deri tani. Sipas burimeve, bëhet fjalë për një kompani amerikane, parashikimet e së cilës kanë rezultuar të sakta në matjet e mëparshme.

Të dhënat tregojnë se mazhoranca ka humbur 20 për qind të mbështetjes në Tiranë, 18 për qind në Durrës dhe 14 për qind në Elbasan. Rezultatet që i kanë mbërritur Edi Ramës prej një jave tregojnë gjithashtu se, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, Partia Socialiste nuk do ta siguronte shumicën në rang kombëtar.

Kjo situatë duket se e shtyu kryeministrin t’u drejtohej personalisht qytetarëve nga Rinasi për çështjen e Vlora Hysenit. Rama zgjodhi të dilte vetë në skenë, në një përpjekje për të rimarrë kontrollin e debatit publik.

Përveç sondazhit të mazhorancës, burimet bëjnë të ditur se matje të ngjashme kanë zhvilluar edhe faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshirë qarqe europiane dhe amerikane.

Rezultatet e këtyre sondazheve mund të kenë ndikuar edhe në ftohtësinë diplomatike që shoqëroi vizitën e Edi Ramës në Shtetet e Bashkuara. Qeveritë perëndimore duket se po studiojnë skenarët e periudhës pas Ramës. Sinjalet e para pritet të shfaqen më 1 dhe 2 tetor, gjatë dy ngjarjeve të rëndësishme të fillimit të sezonit politik.

Më 1 tetor zhvillohet pritja e Ambasadës Gjermane, ku ambasadori pritet të përcjellë qëndrimet e qeverisë së tij. Në këtë aktivitet është ftuar si e nderuar e gjithë trupa e SPAK-ut.

Një ditë më pas, ambasadori i ri amerikan në Tiranë, Eric Wendt, do të zhvillojë prezantimin e tij. Edhe pse ka mbërritur prej disa ditësh në Shqipëri, ai ka takuar vetëm Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, të cilit i dorëzoi letrat kredenciale.

Gjenerali Wendt mund ta takonte Edi Ramën që të dielën, pas kthimit të kryeministrit nga Shtetet e Bashkuara. Pikërisht atë ditë, Rama mbajti në Rinas një fjalim dramatik, me një objektiv të qartë politik.

Ambasadori nuk e takoi.

Një vonesë e tillë në takimin e ambasadorit amerikan me kryeministrin nuk është e zakonshme pas dorëzimit të letrave kredenciale. Ky veprim përbën një sinjal politik, i cili mund të bëhet më i qartë gjatë prezantimit të 2 tetorit në hotel “Plaza”.

Një ambasador amerikan nuk e shmang takimin me kryeministrin pa një arsye të fortë. Një qëndrim i tillë zakonisht kërkon udhëzim nga Departamenti i Shtetit.

Nëse kjo heshtje është e qëllimshme, atëherë bojkoti politik ndaj Edi Ramës sapo ka nisur./Pamfleti

Published inBank

Comments are closed.