Skip to content

Lajm i dhimbshëm! Ndahet nga jeta ish futbollisti dhe trajneri i madh i futbollit shqiptar (FOTO)

Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare Ismet Hoxha, ish-futbollist, trajner dhe drejtues i Vllaznisë. Hoxha ka pësuar një infarkt dhe, pavarësisht transportimit me urgjencë në spital, nuk ka mundur të mbijetojë.

I lindur në Shkodër më 23 mars 1948, Hoxha e nisi karrierën sportive në ekipet e moshave të Vllaznisë. Më pas ai u aktivizua me Partizanin, me të cilin fitoi Kupën e Republikës në vitin 1968. Në atë edicion, Hoxha u shpall edhe golashënuesi më i mirë i kompeticionit, me 7 gola.

Në vitin 1970 u rikthye te Vllaznia, ku luajti deri në vitin 1977. Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi dy tituj kampionë dhe një Kupë Republike me skuadrën shkodrane, duke qenë gjithashtu ndër golashënuesit e spikatur të kampionatit.
Hoxha u aktivizua edhe me Kombëtaren shqiptare, ku zhvilloi tri ndeshje. Për disa vite ishte pjesë dhe kapiten i ekipit Shpresa, me të cilin u shpall dy herë nënkampion i Ballkanit.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai vijoi aktivitetin në futboll si trajner i ekipeve të moshave të Vllaznisë. Në vitin 2000, ekipi i të rinjve i drejtuar prej tij u shpall kampion.
Gjatë viteve si trajner, Hoxha punoi me disa breza futbollistësh që më pas u aktivizuan me ekipin e parë të Vllaznisë dhe Kombëtaren shqiptare.

Përveç punës në fushë dhe në pankinë, ai mbajti edhe detyra drejtuese në klubin shkodran, duke vijuar kontributin e tij në futboll edhe pas përfundimit të karrierës si lojtar.
Në vitin 2022, Ismet Hoxha u vlerësua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, për kontributin e tij në sport.

Ndarja nga jeta e Ismet Hoxhës mbyll një kapitull të gjatë të një karriere të lidhur me Vllazninë, fillimisht si futbollist dhe më pas në role të tjera brenda klubit.
Portali i Shkodres i shpreh ngushellime te sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit te sportit ne Shkoder dhe ne te gjithe Shqiperine.

Published inBank

Comments are closed.