Skip to content

Çim Peka thirrje Ballukut: Hajde tek unë, Fol tani çfarë di, para se të jetë vonë

Gazetari Çim Peka i ka drejtuar një mesazh publik ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në një moment kur zhvillimet politike në vend po marrin një ritëm të ri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peka i ka bërë Ballukut një ftesë të drejtpërdrejtë për të folur publikisht mbi atë që ai e konsideron si të vërtetën e funksionimit të pushtetit dhe marrëdhënieve brenda tij.

Gazetari e lidh mesazhin e tij me ndryshimet që, sipas tij, shfaqen në qëndrimet e medias ndaj figurave politike kur ndryshon raporti me pushtetin.

Në këtë kontekst, Peka i drejtohet Ballukut duke i kërkuar të tregojë çfarë di për kontratat, paratë dhe personat që, sipas tij, kanë pasur rol në marrjen e vendimeve.

Mesazhi përmban edhe një referencë ndaj marrëdhënies së Ballukut me pushtetin dhe figurave të tjera politike apo ekonomike. Peka e fton ish-zëvendëskryeministren të flasë nëse ndaj saj është ushtruar presion për të heshtur.

Në fund, gazetari i ofron publikisht mundësinë për një rrëfim pa censurë, duke deklaruar se ajo mund të flasë në hapësirën e tij mediatike.

“Fol, Belinda. Tani”
Në postimin e tij, Peka e ndërton mesazhin si një apel të drejtpërdrejtë ndaj Ballukut, duke i kërkuar që të mos qëndrojë në heshtje përballë zhvillimeve të fundit.

Ai shkruan se ndryshimi i marrëdhënies së medias me personat që janë ose kanë qenë pranë pushtetit bëhet i dukshëm sapo ndryshojnë rrethanat politike.

Peka i referohet gjithashtu periudhës kur Balluku kishte një rol të rëndësishëm në qeverisje dhe marrëdhënieve që, sipas tij, ishin krijuar gjatë kësaj kohe me njerëz të politikës dhe biznesit.

“Prandaj fol. Trego çfarë di për kontratat, për paratë dhe për njerëzit që merrnin vendimet. Nëse po të bëhet presion të heshtësh, thuaje”, shkruan gazetari.

Një pjesë e mesazhit merr edhe një ton historik dhe familjar, përmes një reference ndaj gjyshit të Ballukut dhe periudhës së regjimit komunist. Peka e përdor këtë paralelizëm për t’i kërkuar asaj që të tregojë, sipas tij, atë që di për kryeministrin Edi Rama dhe mënyrën se si është ushtruar pushteti.

Në vijim, gazetari e zgjeron ftesën duke përmendur edhe Edi Ramën, Ergys Agasin dhe biznesmenë që ai i cilëson si “oligarkë”, duke deklaruar se askush prej tyre nuk duhet të përcaktojë se çfarë mund të thotë Balluku.

Ftesa për një rrëfim publik
Mesazhi përfundon me një ftesë të hapur për Ballukun që të flasë publikisht.

Peka shprehet se është i gatshëm t’i ofrojë hapësirë mediatike për një rrëfim pa censurë dhe pa ndërhyrje politike.

“Fol, Belinda. Tani. Pas dy javësh do të jetë vonë. Më beso!”, përfundon ai.

Postimi vjen në një periudhë kur zhvillimet politike dhe hetimet që prekin figura të rëndësishme të administratës dhe qeverisjes shqiptare kanë shtuar vëmendjen mbi marrëdhëniet mes politikës, biznesit dhe institucioneve.

Postimi i plotë:

BELINDA, FTESA ËSHTË E HAPUR. NË ÇDO KOHË.

Dje e pe sa shpejt ndryshon televizioni kur ndryshon pushteti. Ata që të quanin “Zonja e Hekurt” sot të ndjekin me kamera edhe në palestër. Nesër mund ta bëjnë të gjithë ata që deri dje të rrinin pranë.

Ti e di si funksionon kjo botë. E di kush të mbështeti, kush përfitoi dhe kush tani kërkon të shpëtojë veten duke të lënë vetëm.

Prandaj fol. Trego çfarë di për kontratat, për paratë dhe për njerëzit që merrnin vendimet. Nëse po të bëhet presion të heshtësh, thuaje.

Gjyshi yt nuk arriti ta merrte me vete Enverin. Ti ende mund të tregosh të vërtetën për Ramën. Jeni pjesë e së njëjtës histori pushteti, por nuk ke pse të mbash vetëm ti fundin e saj.

Nëse do të flasësh publikisht pa censurë, ke një ftesë të hapur tek unë. As Rama, as Agasi, asnjë oligark nuk do të vendosë çfarë mund të thuash.

Fol, Belinda. Tani. Pas dy javësh do të jetë vonë. Më beso!

Published inBank

Comments are closed.