Aktorja e njohur Monika Lubonja ka bërë sot një reagim të fortë dhe thellësisht emocional përmes një deklarate publike, pas një cenimi të rëndë të jetës së saj private. Në një postim ku ndërthuret dhimbja e një zhgënjimi njerëzor me vendosmërinë e hekurt të një gruaje për të mbrojtur dinjitetin e saj, Lubonja ka sqaruar se gjithçka është bërë pa dijeninë dhe pëlqimin e saj, duke paralajmëruar një betejë të ashpër ligjore.
Një pabesi në emër të dashurisë
Duke u drejtuar si një grua të cilës i është shkelur brutalisht privatësia, ajo sqaroi se pamjet intime janë regjistruar në mënyrë të fshehtë nga një ish-partner, të cilit i kishte kushtuar disa vite nga jeta e saj. Ajo theksoi me forcë se asnjëherë nuk ka dhënë miratim për t’u filmuar, regjistruar, dhe aq më pak që këto materiale të shpërndahen apo të shiten për përfitime të ulëta.
“Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje”, shkruan Lubonja. Ajo nënvizoi se dinjiteti i një njeriu, i ndërtuar me mund gjatë gjithë jetës, nuk mund të zhbëhet nga tradhtia dhe pabesia e një individi tjetër.
Thirrje mediave dhe shoqërisë: Mos e ktheni dhimbjen time në argëtim!
Në këtë moment të vështirë, aktorja ka pasur një apel të drejtpërdrejtë për mediat dhe opinionin publik. Ajo ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të “baltosjes” së emrit të saj në emër të një pseudo-morali kolektiv.
Lubonja u ka kërkuar mediave që të respektojnë privatësinë e saj dhe të ndalin spekulimet apo publikimin e materialeve intime, të cilat përbëjnë një vepër penale. Një mesazh goditës i shkoi edhe komentuesve dhe rrjeteve sociale: “Opinionit publik i kërkoj të mos e kthejë dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë.”
Përballja në dyert e drejtësisë
E bindur për të vënë në vend nderin e saj, Monika njoftoi se çështja tashmë i ka kaluar zyrtarisht organeve të drejtësisë. Ajo u shpreh e palëkundur se do ta ndjekë këtë rrugë ligjërisht deri në fund, duke mos i falur askujt përdorimin e jetës dhe trupit të saj.
“Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ia fal askujt që përdori jetën time! Jam e sigurt që e vërteta do të flasë,” u shpreh ajo, duke theksuar besimin tek institucionet. Deklarata e saj mbyllet me një notë shpirtërore dhe fisnike, teksa i lutet Zotit t’i japë forcë që kjo plagë e hapur të mos ia mbushë zemrën me urrejtje, duke theksuar se e ardhmja tani i përket vetëm drejtësisë.
Postimi i Monika Lubonjës:
Ju drejtohem sot me dhimbjen e një gruaje së cilës i është shkelur besimi dhe privatësia por edhe me vendosmërin për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e saj.
Kerkoj dhe shpresoj të ndalet baltosja ime në emër të një ‘morali kolektiv’. Dinjiteti i një njeriu ndërtohet gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të zbëhet nga tradhtia e dikujt, të cilit i fala disa vite të jetës sime.
Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të rregjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhenë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje.
Mediave u kërkoj të respektojnë privatësinë time dhe të mos publikojnë apo të spekulojnë me publikime të materialeve intime.
Opinionit publik i kërkoj të mos e ktheje dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë.
I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund.
Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ja fal askujt që përdori jetën time!
Do e ndjek ligjërisht dhe jam e sigurt që e
vërteta do flasë.
Zotit i kërkoj forcë që kjo plagë të mos ma mbush zemën me urrejtje. Besoj se ai e njeh të vërtetën time dhe pres që drejtësia të bëjë punën e saj.

Comments are closed.