Kryeministri Edi Rama e ka paralajmëruar deputetin socialist Erion Braçe se mund të përballet me pasoja politike nëse voton kundër Reformës së re Territoriale. Gjatë diskutimit në “Top Story”, vetë Braçe tregoi se Rama i ka komunikuar qëndrimin e tij lidhur me votën për reformën, duke i bërë të qartë se vota kundër do ta nxirrte jashtë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Braçe, i cili ka shprehur publikisht rezerva për mënyrën se si është hartuar reforma, tha se nuk e sheh ndryshimin e hartës territoriale si të mjaftueshëm për të garantuar një pushtet vendor më funksional. Sipas tij, reforma duhet të shoqërohet me një transferim real të kompetencave dhe pushtetit te bashkitë dhe njësitë administrative. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si është ndërtuar harta territoriale që prej vitit 2014, duke argumentuar se ajo nuk duhet të përcaktohet nga interesat partiake.
“Rama më tha: nëse ti voton kundër, je jashtë këtij Grupi Parlamentar. Jo kush voton, por ‘ti’. Unë jam mandatuar të votoj reforma. Më vjen keq që ky debat shkon në këtë gjë. Harta territoriale që nga 2014 është bërë në bazë të mazhorancës. Harta territoriale nuk duhet të bëhet për interesat partiake.
T’i thuash tjetrit që do votosh si shumica, nuk është demokraci. Ky është deformim demokratik brenda PS. S’ka rëndësi si votoj sot. Nga kjo që po ndodh sot, askush nuk del i fituar. Kishim mundësinë që të bënim një reformë të fortë. Për mua është një betejë e humbur. As fiton kërkush”, tha Braçe.

Comments are closed.