Skip to content

Ish banorja e Big Brother e futi në kurth? ‘Po me ndjekin këta të BKH-së’, ‘Ini i Çones’ dyshohet se u rrëmbye në Kombinat, çfarë ka zbuluar policia pas

Detaje të reja të pakonfirmuara zyrtarisht po qarkullojnë për fatin të shumëkërkuarit Inez Hajrulla, i njihur si ‘Ini i Çones’, krahu i djathtë i Edison Harizajt, i njohur ndryshe si ‘Edison Faqedjeguri’ dhe ‘Edisoni i shtatë pallateve’, i vrarë në nëntor 2018. Ashtu si në rastin e Vis Martinajt, në skenë dyshohet se shfaqet një vajzë, e cila besohet se ka qenë me Inin e Çones në zonën e Kombinatit në Tiranë pak para se i ‘forti i Vlorës’ të ‘arrestohej’ nga një grup personash të maskuar dhe të veshur me jelekë si të BKH-së.

Burime jo zyrtare thonë se Hajrulla është nisur nga Vlora drejt Tiranës, besohet i vetëm, për të takuar një mikun e tij. Gjatë bisedës në telefon për vendin dhe orën e takimit në Tiranë, thuhet se Hajrulla i ka shprehur shqetësimin mikut të tij se po ndiqej dhe vëzhgohej nga BKH-ja, me qëllim për t’a arrestuar për llogari të SPAK-ut. Besohet se Hajrulla ka kuptuar se peroësona, për të cilët ai besonte se ishin të BKH-së, po e ndiqnin.

Takimi i pretenduar me mikun e tij është lënë rreth orës 13, me shumë gjasa në zonën e Selitës. Para takimit me mikun e tij, Ini i Çones thuhet se ka takuar një vajzë në Kombinat. Dyshohet se bëhet fjalë për një V., ish banore të Big Brother VIP Albania. Në dosjet e SPAK, referuar komunikimeve në Skye Ecc, konstatohet se figura të krimit të organizuar përdornin edhe vajza si karrem për t’ju afruar dhe tërhequr në grackë kundërshtarët e tyre. Por, në rastin konkret nuk dihet nëse vajza ka qenë e inflitruar nga rrëmbyesit e pretenduar.

Ndërkaq, një informacion i publikuar nga Zëri.al ngre dyshime edhe për një inskenim të mundshëm nga Inez Hajrulla. Sipas portalit, mesditën e të mërkurës, policia është ngritur në këmbë nga një telefonatë, sipas të cilës në një nga dhomat e një hoteli në Vaqarr ndodhej Hajrulla në shoqërinë e një vajze. Menjëherë shërbimet e Komisariatit nr.6 bashkë me shërbimet mbështetëse kanë shkuar në ambientet e hotelit për të bërë verifikimet e para.

Nga kontrolli ka rezultuar se Hajrulla nuk ndodhej në hotel në atë moment. Policia po verifikon edhe nëse Hajrulla është lajmëruar përpara se Policia të shkonte në hotel. Paralelisht janë marrë edhe kamerat e hotelit në fjalë ndërsa janë pyetur klientët dhe stafi në lidhje me përshkrimin e “El Padrinos” së Vlorës. Policia është duke i verifikuar të dyja pistat, një inskenimi të mundshëm të ngjarjes, por edhe të një zhdukjeje nga kundërshtarët e tij.

Nga ana tjetër, po rreth mesditës, miku i tij i ka telefonuar Inez Hajrullas pasi po vonohej dhe nuk po shfaqej në takim, por telefoni i tij ka dalë i fikur. Fillimisht ka pasur dyshime për arrestim nga hetuesit e BKH-së, ndonëse arrestimet kryhen nga policia. Miqtë e tij kanë bërë përpjekje për të mësuar në cilin komisariat ishte dërguar, por kanê mësuar se Hajrulla nuk ishte arrestuar.

Në këto momente kanë nisur dyshimet dhe shqetësimet për fatin e tij. Ndërkaq, Policia e Vlorës mësohet se ka ftuar të paraqitet në komisariat babanë e ‘Init të Çones’, Robert Hajrulla. Ky i fundit ka thënë policisë se me të birin s’ka pasur kontakt dy ditët e fundit, por duke qenë se ai është në kërkim ndërkombëtar, ndodh që ai të mos e kontaktojë çdo ditë.

Sipas babait të tij, beson se i biri ndodhet jashtë vendit dhe se do t’i drejtohet policisë për humbje kontaktesh me të vetëm nëse do të kalojnë 72 orë dhe Inezi të mos e telefonojë apo sinjalizojë në ndonjë mënyrë tjetër që është mirë.

Inez Hajrulla është në kërkim me urdhër të SPAK për vrasje dhe grup kriminal. Ai mori drejtimin e grupit kriminal në 2018, pas vrasjes së shefit të tij, Edison Harizaj, i njohur si Edison Faqedjeguri. Hajrulla është në përplasje të forta me disa grupe kriminale në Vlorë dhe disa aksione për kapjen e tij kanë dështuar. Në dhjetor të vitit 2024, grupi rival i bëri atentat me 30 plumba në Vlorë, Kevin Hajrullait, kushëriri i Inez Hajrulla, i cili mbeti i plagosur rëndë.

Published inBank

Comments are closed.