Këngëtarja Rovena Ibrahimi ka rrëfyer vështirësitë që ka kaluar gjatë pesë viteve të përpjekjeve për t’u bërë nënë, si dhe periudhën e vështirë të shtatzënisë, kur qëndroi për pesë muaj në regjim shtrati.
Në një intervistë në emisionin “S’e Luan Topi” në Top Channel, Ibrahimi tregoi se, ndërsa bashkëshorti kishte humbur shpresat se do të bëheshin prindër, ajo e mbante të fortë besimin se një ditë do të sillte në jetë një fëmijë.
Erjona Rusi: Edhe ju keni pasur sfidat tuaja, le të themi një pesëvjeçar gjatë të cilit tentonit të bëheshit me fëmijë. Si e keni përjetuar këtë periudhë?
“Ka qenë shumë e vështirë, jo për mua, pasi unë i rikthehem pjesës së besimit. E kisha të ngulitur në mendje që, nëse është e shkruar të bëhem nënë, do të bëhem dhe kjo nuk kishte për të ndryshuar asnjë gjë. Kur shikoje tim shoq duke kaluar vitet, kishte humbur shpresat. Thoshte: “Nuk kemi për t’u bërë prindër”. Edhe unë vazhdoja: “Kur të kemi fëmijën tonë”. E shikoje gjithmonë e më të dorëzuar, e kishte pranuar. Ne nuk kemi pasur probleme nga vizitat që kishim bërë, ishte çdo gjë shumë okej. Ai thoshte që kjo gjë nuk do të ndodhte.
Më e vështirë ishte pas vitit të pandemisë. Thoshte: “Kjo nuk ka për të ndodhur”. Ai e kishte bërë pakt me këtë gjë, nuk i shkaktonte tension në çift, por brenda vetes e shikoje të dorëzuar. Në momentin e parë që unë e kam kuptuar që isha shtatzënë, bëra testin dhe ia nisa. Më tha: “Kush ka mbetur shtatzënë?”. I thashë: “Unë”, e më tha: “He, mos u tall, po kush ka ngelur?”. I thashë: “Me të vërtetë, unë. Po a do të vish të shkojmë te doktori bashkë?”. Më tha: “Shko njëherë vetëm, sigurohu”, sepse nuk po e besonte.
Nathaniel është vërtet ashtu siç e ka emrin, dhuratë e Zotit. Nuk kishte gëzim më të madh. Edhe dua të jap një mesazh për ato femra që dorëzohen: nuk të kushton asgjë të mbash qetësinë. Unë vazhdoja me idenë që do të vijë momenti, se gjërat janë të shkruara. Nëse do të bëhesh nënë, do të bëhesh, në të kundërt, do ta pranosh çdo gjë që të vijë nga lart.
E kemi menduar edhe birësimin të dy bashkë. Ishim pro, por besimi im i tejskajshëm që kjo gjë do të ndodhte më bënte që ta lija. E kisha bindje të brendshme. Kam qëndruar pesë muaj në regjim shtrati. Ishte shumë e vështirë. Kam qenë gjatë gjithë kohës e rrezikuar dhe ishte e vështirë deri në momentin që Nathaniel erdhi në jetë”, tha këngëtarja Rovena Ibrahimi.

Comments are closed.