Sot, 11 tetor 2026 (e diel) në ora 15:40 në Xhaminë e Pozheranit të Vitisë, do t’u jepet lamtumira e fundit Nafije e Egzon Bugujevci, të cilët mbetën të vrarë dy ditë më parë në Livoç të Ulët të Gjilanit.
I dyshuari për vrasjen, ish-burri i Nafijes, është vetëdorëzuar, ndërsa arma e zjarrit është sekuestruar.
Në këtë rast është plagosur edhe axha i viktimave, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim për Valon Ramushin, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Nafije Bugujevci, dhe vëllait të saj, Egzon Bugujevci, në Livoç të Ulët.
Sipas dosjes së përshkruar nga Gjykata, më 9 tetor, Ramushi dyshohet se fillimisht e qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij me pistoletë, teksa ajo ndodhej në ulësen e pasagjerit në veturën e tyre.
Më pas, ai dyshohet se u kthye në drejtim të familjarëve të saj, të cilët po e ndiqnin me një veturë tjetër për të biseduar.
“Unë jetën e humba se grujën e vrajta, edhe juve kam me ju vra”, dyshohet se u tha ai familjarëve përpara se të hapte zjarr ndaj tyre.
Nga të shtënat mbeti i vrarë në vend Egzon Bugujevci, ndërsa një tjetër familjar u plagos rëndë. Një person i katërt arriti të largohej dhe t’u shpëtonte plumbave.
Pas krimit, i dyshuari e dërgoi veturën me trupin e pajetë të bashkëshortes para Emergjencës së Spitalit të Gjilanit dhe më pas u dorëzua në polici.
Ramushi dyshohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë.
Dy jetë të shuara, një familje e shkatërruar dhe një tragjedi që tronditi gjithë Kosovën.

Comments are closed.