Skip to content

E bujshme! Dje e shkarkuan pas 3 orëve punë! Drejtori i Balllukut merr Institucionin e bujshëm, shkarkohet ish prokurori

Një tjetër rokardë e papritur ka ndodhur në radhët e administratës publike. Anton Martini nuk do të jetë më në krye të Drejtorisë së Hetimit Tatimor, një post kyç që ai e mbante që prej vitit 2024. Në vendin e ish-prokurorit të njohur është emëruar Everest Kazheli, një emër jo pak i lakuar ditët e fundit për shkak të lëvizjeve të tij të rrufeshme nëpër institucione të ndryshme shtetërore.

Emërimi i Kazhelit në krye të Hetimit Tatimor vjen pas një episodi të paprecedentë në karrierën e tij si zyrtar. Vetëm pak ditë më parë, ai u caktua në krye të Drejtorisë Vendore të Kadastrës në Elbasan, por aventura e tij në këtë qytet ishte jetëshkurtër në mënyrë ekstreme. Vetëm 3 orë pas prezantimit të tij zyrtar, Kazheli la zyrën. Ndonëse fillimisht u raportua si një dorëheqje e menjëhershme, në prapaskenë ky episod u pa gjerësisht si një shkarkim i padeklaruar apo një tërheqje e detyruar në një kohë rekord, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi arsyet e vërteta të këtij vendimi dhe ndikimet që çuan në largimin e tij vetëm pak minuta pasi kishte marrë detyrën. Kadastra e Elbasanit njihet si një ndër institucionet më problematike për shkak të lëvizjeve të shpeshta dhe presionit të lartë mbi drejtuesit e saj, çka duket se prodhoi edhe këtë zëvendësim “rrufe”.

Pavarësisht këtij episodi, Everest Kazheli vjen me një përvojë të mëparshme si drejtues në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Më herët, ai ka drejtuar me kohë më të gjatë degët vendore të këtij institucioni në qytetet e Fierit dhe Lushnjës. Tashmë atij i është besuar një sektor krejtësisht tjetër dhe tejet delikat, siç është zbulimi dhe hetimi i shkeljeve fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Nga ana tjetër, largimi i Anton Martinit ndodh në heshtje dhe pa një njoftim zyrtar mbi arsyet e lirimit nga detyra. Ish-prokurori e kishte marrë drejtimin e kësaj strukture para dy vitesh, pas një përvoje të gjatë e të njohur në sistemin e drejtësisë, duke shënuar kështu një tjetër rrotacion pa transparencë në radhët e larta të administratës publike.

Published inBank

Comments are closed.