Skip to content

E fundit! Tirana në Zjarr! Nga europa vjen lajmi, Edi Rama të Hënën do bëjë lëvizjen e paimagjinueshme

Teksa në Shqipëri vijojnë protestat e dhunshme, kryeministri Edi Rama ditën e hënë do të largohet nga Shqipëria pasi do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Vienë të Austrisë, ku do të pritet me nderime ushtarake nga kancelari federal Christian Stocker.

Gazeta e njohur austriake “Kurier” i ka kushtuar një artikull të veçantë situatës politike në Shqipëri dhe vizitës së kryeministrit Edi Rama në Vjenë, duke e cilësuar udhëtimin si një “pushim të mirëpritur” nga protestat masive që prej muajsh po zhvillohen kundër qeverisë shqiptare.

Kontrasti mes pritjes ceremoniale në Vjenë dhe situatës së tensionuar politike në Tiranë është një nga elementet kryesore të artikullit të medias austriake. Sipas “Kurier”, për kryeministrin shqiptar kjo vizitë përbën një shkëputje nga klima e protestave që prej muajsh po shoqërojnë qeverisjen e tij.

“Për kryeministrin shqiptar, vizita në Vjenë të hënën do të jetë një pushim nga protestat që prej muajsh ziejnë në vendin e tij. Edi Rama te henendo të pritet me nderime ushtarake nga kancelari federal Christian Stocker, protestuesit në Shqipëri kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit që qeveris prej 13 vitesh”, shkruan gazeta austriake.

Tirana përjetoi sot një nga ditët më të rënda që nga trazirat e viteve 1997–1998. Kryeqyteti u mbush me gaz lotsjellës, ujëhedhëse, autoblinda dhe forca speciale. Edi Rama tregoi forcën e shtetit, por nuk arriti t’i jepte fund revoltës. Pas 130 ditësh protestash dhe pesë ditësh përshkallëzim, kryeministri duhet të kuptojë se një krizë politike nuk zgjidhet me polici.

Kryeministër, kjo situatë nuk mund të vazhdojë më.

Sot Tirana përjetoi një nga ditët më të rënda dhe më të tensionuara që nga trazirat e viteve 1997–1998. Përplasjet ishin të ashpra. Gazi lotsjellës, ujëhedhëset, zjarret dhe barrikadat pushtuan rrugët e kryeqytetit. Qytetarët panë qytetin e tyre të kthehej në një skenë kaosi e frike.

Ndryshe nga ditët e mëparshme, sot policia ndërhyri me një forcë të jashtëzakonshme. Në rrugë zbritën qindra efektivë, automjete ujëhedhëse, furgonë dhe forcat speciale RENEA. Kryeministria u rrethua nga mjete të blinduara dhe efektivë të armatosur. Ish-Blloku u mbush me polici. Tirana mori pamjen e një qyteti nën rrethim.

Por edhe pas gjithë kësaj, protesta nuk përfundoi.

Të rinjtë u shpërndanë në disa zona, u rigrupuan dhe vijuan marshimin. Nga bulevardi te Shallvaret, nga Rruga e Durrësit te Banka e Shqipërisë, nga Rruga e Barrikadave te Rruga e Dibrës, turma vazhdoi të lëvizte. Për çdo ndërhyrje të policisë, demonstruesit gjenin një tjetër rrugë ku të vazhdonin protestën.

Kjo ishte pamja politike më domethënëse e ditës: shteti nxori në rrugë gjithë forcën e tij, por revolta nuk u shua.

Edi Rama duhet ta lexojë këtë realitet përtej raportimeve policore dhe bilanceve të shoqërimeve. Sot nuk ishte thjesht një përballje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Ishte shprehja e një krize të thellë besimi mes një pjese të shoqërisë dhe qeverisë së saj.

Për 130 ditë qytetarët protestuan paqësisht. Kërkuan të dëgjoheshin. Kryeministri pati kohë të dialogonte, të jepte përgjigje dhe të kërkonte një rrugëdalje politike. Në vend të kësaj, ai e nënvlerësoi pakënaqësinë dhe lejoi që distanca mes qeverisë dhe protestuesve të thellohej.

Sot faturën e kësaj përplasjeje po e paguan Tirana.

Po e paguajnë bizneset që mbyllin dyert, qytetarët që kanë frikë të dalin në rrugë, familjet që shohin përplasjet në ekran dhe vetë punonjësit e policisë, të cilët përballen me pasojat e një krize që nuk mund ta zgjidhin politikisht.

Sigurisht, djegia e pronës dhe hedhja e koktejeve Molotov nuk janë zgjidhje. Por as shndërrimi i kryeqytetit në një hapësirë ku protestuesit ndiqen nga ujëhedhëse dhe furgonë policie nuk është përgjigje ndaj kërkesave të tyre.

Rama mund të urdhërojë përforcimin e masave të sigurisë. Mund të dislokojë RENEA-n dhe të rrethojë Kryeministrinë me autoblinda. Mund të shpërndajë protestuesit nga një shesh apo një rrugë. Por nuk mund të urdhërojë zhdukjen e zemërimit qytetar.

Mbështetja që protestuesit marrin në rrjetet sociale është një tjetër tregues i pakënaqësisë që shtrihet përtej atyre që marshojnë. Ajo nuk mund të matet thjesht me komentet dhe reagimet në internet, por as nuk mund të shpërfillet.

Kryeministri duhet të kuptojë se edhe nëse policia arrin ta qetësojë situatën sonte, kjo nuk do të thotë se kriza ka marrë fund. Pakënaqësia e pazgjidhur mund të rikthehet, sepse shkaqet që e ushqejnë mbeten aty.

Dhe pikërisht këtu qëndron përgjegjësia e tij.

Nuk mjafton që çdo mëngjes të dalë para kamerave, të tregojë kioska e djegura dhe të dënojë dhunën. Dëmet duhen dënuar dhe përgjegjësit duhen identifikuar, por kryeministri duhet t’i përgjigjet edhe pyetjes që qëndron pas gjithë kësaj: përse, pas kaq shumë ditësh proteste, kaq shumë qytetarë vazhdojnë të kërkojnë largimin e tij?

Nuk mund të kërkosh që një krizë politike të zgjidhet vetëm nga policia, ndërsa vetë politika refuzon të marrë përgjegjësi.

Sot Edi Rama u përpoq të tregonte se shteti është më i fortë se protestuesit. Por forca e një qeverie nuk matet me numrin e autoblindave që vendos përpara zyrës së kryeministrit. Matet me aftësinë për të dëgjuar qytetarët dhe për të mos e çuar vendin deri në këtë pikë.

Tirana nuk mund të vazhdojë të jetojë mes protestës, gazit lotsjellës dhe rrethimit policor.

Zgjidhja nuk gjendet te një tjetër ujëhedhëse, një tjetër furgon apo një tjetër ndërhyrje e RENEA-s. Ajo kërkon një vendim politik.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës. Kryeministri mund të mos pajtohet me këtë kërkesë, por nuk mund të sillet sikur ajo nuk ekziston dhe të presë që policia t’ia largojë nga rruga.

Sot u pa se edhe ndërhyrja më e fortë policore nuk i dha fund revoltës. Kjo duhet të mjaftojë për të kuptuar se vazhdimi i së njëjtës rrugë rrezikon vetëm ta thellojë krizën.

Kryeministër, topi është në fushën tënde.

Ti ke pasur kohën për t’i dëgjuar këta njerëz. Ti ke përgjegjësinë politike për mënyrën si është trajtuar pakënaqësia e tyre. Dhe sot, kur Tirana po paguan një çmim kaq të rëndë, ti ke detyrimin të ofrosh një rrugëdalje.

Nuk mund ta mbash pafund një qytet nën rrethim policor për të shmangur një përgjigje politike.

Kjo situatë duhet të marrë fund. Dhe përgjegjësia për ta nxjerrë vendin nga kriza fillon nga zyra e kryeministrit, jo nga rrugët ku marshojnë protestuesit. /Pamfleti

Published inBank

Comments are closed.