Skip to content

Mentor Nazarko: Albin Kurti ka ndikim te të rinjtë në Shqipëri. Le të bëjë thirrje për qetësi, si

Gazetari Mentor Nazarko kërkoi një ndërhyrje edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të qetësuar situatën e protestave në Shqipëri.

“Do të ishte e arsyeshme që zoti Albin Kurti, që është me siguri figurë popullore mes studentëve, mes të rinjve të Shqipërisë, të bëjë thirrjen e Rugovës. Të bëjë thirrje për qetësi, t’i ngjajë Rugovës në vitin 1996”, tha Nazarko në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Më tej, ai theksoi se “qeveria e ka keqinterpretuar protestën e 135 ditëve” dhe se “duhet të ishin bërë ndryshime të mëdha”.

“Unë kam vetëm një vijë në të cilën e kam ndërtuar gjykimin tim gjatë këtyre ditëve që është: mos i hidhni benzinë zjarrit se ka mjaftueshëm. Qeveria e ka keqinterpretuar protestën e 135 ditëve. Duhet të ishin bërë ndryshime apo fillesë për ndryshime të mëdha. Nuk e ka kuptuar as edhe elita jonë ekonomike, e cila mund të rrëzohet bashkë me qeverinë, bashkë me Ramën, që duhet të heqë dorë nga ato fitimet e veta maksimale në të gjithë sektorët, në tendera, në rrugë, në ndërtim, në ushqime, në naftë apo në sektorë të tjerë, sepse ato e kanë nxitur këtë frustrim ekstrem që po ndihet tek shoqëria”, shtoi Nazarko.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka deklaruar se deri tani janë plagosur 71 efektivë policie.

Ai u bëri thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve që të mos lejojnë që fëmijët të përdoren për akte dhune, sipas tij.

Ai tha se nga të arrestuarit e natës së parë të protestës nuk kishte asnjë student, ndërsa natën e dytë vetëm disa prej tyre rezultuan studentë.

Sipas tij, të rinjtë me maska që po sulmojnë dhe dhunojnë policinë dhe pronën publike dhe private nuk janë studentë, por janë rekrutuar nga ata që kanë organizuar protestën, të cilët i cilësoi si eksponentë të brendshëm dhe të jashtëm.

Policia e Shtetit garanton të drejtën për protestë paqësore, por nuk mund të jetë mburojë për dhunën, zjarrvënien dhe grabitjen. Policia nuk është pronë e asnjë partie politike. Misioni ynë është të mbrojmë jetën. U bëj thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të mos lejojnë që nxënësit të përfshihen dhe të përdoren në akte dhune.

Nuk janë studentë, por individë të rekrutuar nga organizatorët e vërtetë të protestës, brenda dhe jashtë vendit. Nga të arrestuarit e natës së parë, asnjë nuk ishte student. Natën e dytë, një numër i vogël ishin studentë”, tha Hita.

Published inBank

Comments are closed.