Skip to content

Shans i artë! Kërkoni punë në shtet apo jeni i punësuar, të gjithë nga sot kanë një shans, ja sa rriten pagat dhe si të punësoheni

Qeveria ka miratuar një vendim që prek mënyrën se si do të hartohen politikat e punësimit, pagave dhe zhvillimit të karrierës në administratën publike. Me VKM-në e re, këto përgjegjësi i kalojnë Ministrisë së Administratës Publike, të drejtuar nga Adea Pirdeni.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ministria do të jetë përgjegjëse për hartimin dhe bashkërendimin e politikave të rekrutimit mbi bazën e meritës, vlerësimin e rezultateve në punë dhe zhvillimin profesional të punonjësve të administratës.

Një tjetër kompetencë e rëndësishme lidhet me pagat. Ministria do të hartojë politikat dhe do të propozojë aktet për pagat, trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet e punonjësve të institucioneve publike. Megjithatë, vendimi nuk parashikon rritje të menjëhershme pagash apo hapjen e vendeve të reja të punës.

Ndryshimet synojnë të prekin edhe marrëdhënien e qytetarëve me institucionet. Ministria do të merret me thjeshtimin e procedurave administrative, uljen e burokracive dhe monitorimin e cilësisë së shërbimeve publike, përfshirë afatet dhe aksesin e qytetarëve në këto shërbime. VKM-ja përcakton gjithashtu përgjegjësitë e ministrisë në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Adea Pirdeni do të ushtrojë funksionin e Koordinatores Kombëtare kundër Korrupsionit, ndërsa ministria do të monitorojë zbatimin e politikave dhe masave antikorrupsion.

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË ADMINISTRATËS PUBLIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Administratës Publike, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Misioni i Ministrisë së Administratës Publike është zhvillimi i një administrate publike profesionale, të bazuar në meritë dhe të orientuar drejt rezultateve, përmirësimi i cilësisë dhe aksesit në shërbimet publike, forcimi i pjesëmarrjes qytetare, transparencës dhe llogaridhënies, krijimi i kushteve dhe nxitja e ndërveprimit ndërmjet administratës shtetërore dhe individëve, me qëllim rritjen e rolit të tyre në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, si dhe parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit.

3. Ministria e Administratës Publike, në përputhje me legjislacionin përkatës, ushtron veprimtarinë në këto fusha përgjegjësie shtetërore:

a) Reformën e administratës publike;

b) Menaxhimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin profesional në administratën publike;

c) Politikat e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike;

ç) Performancën institucionale të institucioneve të administratës shtetërore;

d) Monitorimin e standardeve dhe cilësisë së shërbimeve publike;

dh) Thjeshtimin e procedurave dhe reduktimin e barrës administrative për qytetarët;

e) Garantimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në procedurat administrative vendimmarrëse, rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore;

ë) Qeverisjen e hapur në administratën shtetërore;

f) Parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

4. Për realizimin e fushave të përgjegjësisë, sipas pikës 3, të këtij vendimi, Ministria e Administratës Publike është përgjegjëse për:

a) drejtimin dhe bashkërendimin e punës për hartimin e politikave, strategjive dhe akteve ligjore e nënligjore për reformën në administratën publike, si dhe ndjekjen e monitorimin e zbatimit të tyre;

b) hartimin dhe bashkërendimin e politikave për organizimin, funksionimin e modernizimin e institucioneve të administratës publike, si dhe ushtrimin, nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike, e kompetencave, të parashikuara në legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore;

c) hartimin dhe bashkërendimin e politikave për menaxhimin e burimeve njerëzore në administratën publike, përfshirë rekrutimin mbi bazën e meritës, zhvillimin e karrierës, vlerësimin e rezultateve në punë dhe zhvillimin profesional, nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike;

ç) hartimin e politikave dhe propozimin e akteve për pagat, trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet e të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe ushtrimin e kompetencave, që legjislacioni përkatës i njeh ministrit, nën përgjegjësinë e të cilit është Departamenti i Administratës Publike;

d) hartimin dhe propozimin e rregullave e të metodologjive për performancën institucionale, bashkërendimin dhe monitorimin e zbatimit të sistemit të performancës në administratën shtetërore;

dh) monitorimin e zbatimit të standardeve të shërbimeve publike, duke përfshirë, ndër të tjera, cilësinë, afatet, aksesin, informimin dhe përvojën e përdoruesit, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse;

e) hartimin dhe bashkërendimin e politikave e të masave për thjeshtimin e procedurave dhe reduktimin e barrës administrative për qytetarët;

ë) hartimin dhe bashkërendimin e politikave për garantimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në procedurat administrative vendimmarrëse, rritjen e përgjegjshmërisë e të llogaridhënies së administratës shtetërore, krijimin e kushteve dhe nxitjen e ndërveprimit ndërmjet administratës shtetërore dhe individëve, personave fizikë e juridikë dhe grupeve të interesit, pavarësisht formës së tyre të organizimit, me qëllim rritjen e rolit të tyre në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, si dhe ndërmarrjen e nismave, të projekteve ose të programeve të përbashkëta, që kanë si qëllim përfshirjen e qytetarëve;

f) drejtimin e bashkërendimin e punës për hartimin e politikave dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, përfshirë identifikimin, vlerësimin e minimizimin e rreziqeve të korrupsionit në sektorët me risk, si dhe monitorimin e zbatimit të politikave e të masave antikorrupsion.

5. Ministria e Administratës Publike ushtron funksionet e bashkërendimit e të monitorimit, sipas këtij vendimi, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet përgjegjëse, duke respektuar kompetencat e tyre, pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe autonominë e njësive të vetëqeverisjes vendore.

6. Ministri përgjegjës për administratën publike ka rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.

7. Ministri përgjegjës për administratën publike është bashkëdrejtues i Komitetit Shumëpalësh të Partneritetit për Qeverisje të Hapur.

8. Ministri përgjegjës për administratën publike ushtron çdo përgjegjësi tjetër shtetërore, që i ngarkohet me ligj, me akte të Këshillit të Ministrave dhe nga Kryeministri.

9. Vendimi nr.522, datë 25.9.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin”, shfuqizohet.

10. Ngarkohet Ministria e Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Published inBank

Comments are closed.