Zhvillime të reja raportohen lidhur me aferën e inceneratorëve, ku këtë herë në qendër të vëmendjes është kryeministri Edi Rama.
Sipas informacioneve të publikuara nga gazeta “SOT”, Prokuroria e Posaçme po përgatitet të thërrasë kreun e qeverisë për të dhënë shpjegime në lidhje me këtë çështje.
Gazeta raporton se një prokuror i SPAK ka udhëtuar drejt Vjenës, ku dyshohet se ka marrë në pyetje biznesmenin Mirel Mërtiri, një prej personave kryesorë të akuzuar në dosjen e inceneratorëve.
Sipas të njëjtave burime, Mërtiri ka dhënë informacione për mënyrën se si janë administruar fondet publike, duke përmendur emra, data dhe transaksione bankare që mund të ndihmojnë hetuesit për të ndjekur destinacionin e parave.
Në këtë kuadër, gazeta pretendon se SPAK ka përgatitur edhe fletë-thirrjen për Edi Ramën. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme për marrjen në pyetje të Mërtirit në Austri apo për një thirrje të mundshme të kryeministrit.
Një tjetër pretendim i publikuar më herët nga portali “Publik.al” lidhet me shumën prej 500 mijë eurosh, që sipas burimeve të cituara nga ky portal, Mirel Mërtirit i është kërkuar t’ia dorëzojë Endri Fugës, në emër të kryeministrit Edi Rama, për qëllime të fushatës elektorale.
Portali pretendon se biznesmeni ka folur për këtë çështje me një media austriake dhe se pritet të bëjë publike dokumente dhe komunikime që lidhen me pagesat. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga SPAK dhe nuk janë shoqëruar ende me prova të publikuara që vërtetojnë transferimin e përmendur.
Mirel Mërtiri ndodhet prej kohësh jashtë Shqipërisë dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai është dënuar në mungesë për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, ndërsa është i pandehur edhe në dosjen e inceneratorit të Tiranës.
Në korrik të këtij viti, SPAK njoftoi përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të dosjes së inceneratorit të Tiranës, ku Mërtiri dhe Klodian Zoto akuzohen për përfshirje në një skemë të dyshuar mashtrimi dhe pastrimi parash.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, përmes kompanive koncesionare dhe faturimeve të dyshuara fiktive janë kryer transaksione në vlera të konsiderueshme, të cilat dyshohet se janë përdorur për nxjerrjen dhe qarkullimin e fondeve.
Ndërkohë, më 27 tetor, Gjykata e Posaçme vendosi të njoftojë publikisht Mirel Mërtirin, Klodian Zoton dhe disa të pandehur të tjerë, pasi nuk kishte arritur t’i kontaktonte për zhvillimin e procesit gjyqësor. Seanca paraprake është caktuar për më 6 nëntor.
Çështja e inceneratorëve ka qenë prej vitesh objekt i akuzave politike, ndërsa ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka drejtuar akuza ndaj Edi Ramës, duke e cilësuar përgjegjës për vendimmarrjen që çoi në miratimin e kontratave koncesionare.
Megjithatë, mbetet ende për t’u konfirmuar nëse biznesmeni ka dhënë një dëshmi të re për SPAK dhe nëse kryeministri Rama do të thirret për t’u pyetur në lidhje me të.

Comments are closed.