Skip to content

Çfarë do ndodhë që do shkund themelet e Partisë Socialiste

Transferimi në Fier, i firmosur nga Toni Gogu, e kthen përplasjen personale në betejë politike dhe hap frontin më të rrezikshëm brenda PS-së.

Transferimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, mund të mos jetë një vendim i zakonshëm administrativ. Ka gjasa të përbëjë një akt provokues, të menduar për të luajtur me nervat e tij.

Nuk përjashtohet që fermani të ketë ardhur nga lart, drejtpërdrejt nga Edi Rama. Megjithatë, urdhrin e transferimit e vulosi dhe e firmosi ministri që Veliaj e konsideronte mikun e vet, Toni Gogu, pastori i afërt i Lalit.

Nëse pastori do të ishte vërtet mik i Veliajt, mund ta shtynte vendimin, ta pezullonte ose të gjente një mënyrë për të mos e ekzekutuar menjëherë. Nuk e bëri.

Ky veprim përmban më shumë demonstrim politik sesa logjikë administrative. Mesazhi është i qartë: Veliaj nuk e ka më me vete as ministrin që e konsideronte njeriun e tij.

Transferimi dhe reagimi i kryetarit të burgosur të Bashkisë së Tiranës e kanë zhvendosur çështjen përtej trajtimit human dhe administrativ. Tashmë kemi një përplasje të hapur politike.

Mund të thuhet se kushtet në paraburgimin e Durrësit janë më të favorshme se ato në Fier. Në fund, të dyja mbeten mjedise izolimi që funksionojnë mbi të njëjtat ligje dhe rregulla.

Veliaj e konsideroi transferimin vendim politik. Ai e lidhi me qëndrimin që mbajti dy ditë më parë, kur i kujtoi Edi Ramës se mund të pësojë fatin e Aleksandar Vuçiçit.

Në reagimin e sotëm, Veliaj e cilësoi dërgimin në Fier si internim. Me këtë gjuhë, ai e shpalli hapur luftën politike me ish-shefin dhe ish-mikun e tij. Sipari tashmë është ngritur.

Çfarë pritet të ndodhë nga sot?

Një luftë e hapur brenda Partisë Socialiste, për të cilën si Edi Rama, ashtu edhe Erion Veliaj, janë përgatitur prej kohësh. Tani do të shfaqen pasojat.

Ky proces politik mbetet ende i paparashikueshëm, por nuk duket i shkëputur nga rrethanat e krijuara prej Revolucionit të Flamingove, lëvizjeve të tij dhe faktorëve që e mbështesin.

Erion Veliaj është sot një nga komponentët e frontit kundër Edi Ramës. Problemi qëndron te fakti se të gjitha grupimet opozitare, nga Arlind Qori te Sali Berisha, e kanë paraqitur Veliajn si një nga të këqijat kryesore të pushtetit.

Bashkimi i tyre politik në këtë moment do të ishte problematik. Megjithatë, në kohë lufte, armiku i armikut tim mund të kthehet në aleat.

Kjo luftë ka hyrë tashmë në fazën e saj më të egër. Këtë herë, ajo po zhvillohet brenda vetë Partisë Socialiste./Pamfleti

Published inBank

Comments are closed.