Prezantimi i projektbuxhetit për vitin 2027 ka nisur këtë të enjte me debate dhe ndasi të forta politike. Ndërkohë që Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka paraqitur në Konferencën e Kryetarëve shtyllat kryesore të dokumentit më të rëndësishëm financiar të qeverisë, përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë zgjedhur të bojkotojnë mbledhjen, duke e cilësuar procesin si jotransparent.
Në një njoftim zyrtar, forca më e madhe opozitare argumentoi se vendimi për braktisjen e tryezës erdhi për shkak se nuk u është vënë në dispozicion asnjë dokument zyrtar për projektbuxhetin. Sipas deputetëve demokratë, mungesa e draftit bazë, relacioneve shpjeguese dhe tabelave me detajet financiare e bën të pamundur një diskutim përmbajtjesor dhe shkel rregullat e parlamentarizmit.
Pavarësisht mungesës së opozitës, Ministri Malaj vijoi me prezantimin e planit të tij, duke e vënë theksin te paketa e politikave sociale dhe mbështetja e drejtpërdrejtë për qytetarët. Gjatë fjalës së tij, kreu i Financave njoftoi se indeksimi i radhës i pensioneve do të realizohet në muajin prill të vitit 2027. Krahas kësaj, ai konfirmoi dyfishimin e bonusit vjetor për pensionistët, një zë i rëndësishëm ky që do të kapë vlerën e rreth 20 miliardë lekëve nga buxheti i shtetit.
Një tjetër risi në këtë projektbuxhet është reforma në politikat e mbështetjes për familjet e reja. Malaj bëri të ditur se bonusi i bebeve nuk do të jetë më thjesht një shumë fillestare, por do të kthehet në një mbështetje afatgjatë, me një rritje progresive që do ta shoqërojë fëmijën deri në moshën 5-vjeçare.
Duke u ndalur te shifrat e përgjithshme, ministri theksoi se qeveria ka planifikuar një nivel rekord shpenzimesh për sektorët jetikë. “Kemi mbi 10 miliardë lekë shpenzime publike, ndër më të lartat të regjistruara ndonjëherë. Do të ketë më shumë para të dedikuara për pensionet, shëndetësinë, mbrojtjen sociale dhe arsimin. Gjithashtu, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbrojtjes dhe sigurisë. Këto janë fusha ku matet drejtpërdrejt përgjegjësia e shtetit,” theksoi Malaj.
Në mbyllje, ministri i përmblodhi objektivat e qeverisë në tre prioritete themelore që do të udhëheqin financat publike gjatë vitit 2027: rritja e mirëqenies sociale për shtresat në nevojë, garantimi i stabilitetit të fortë fiskal dhe avancimi i investimeve e reformave të domosdoshme për përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pas këtij prezantimi, projektbuxheti do të nisë shqyrtimin në komisionet parlamentare, një proces që pritet të prodhojë sërish përplasje të ashpra mes palëve politike.

Comments are closed.