Nëntë vjet kanë kaluar nga ndarja e parakohshme nga jeta e Adelajda Xhamanit, por kujtimi i saj vazhdon të jetë po aq i gjallë për njerëzit që e deshën.
Sot, më 29 tetor, miku i saj i ngushtë, gazetari Eraldo Rexho, e ka kujtuar me një video nga koha kur punonin së bashku.
Një moment i thjeshtë, i mbushur me kujtime, të cilin ai e shoqëroi me fjalët: “9 vjet pa ty. Përgjithmonë Adela”.
Adelajda ishte shumë më tepër sesa një ish-banore e “Big Brother”. Në vitin 2009, vajza nga Kavaja, asokohe mësuese, hyri në një format televiziv ku guxoi të sfidonte paragjykimet e një shoqërie që jo gjithmonë i pranonte zgjedhjet e lira të një vajze.
Historia e saj e dashurisë me Bjordi Mezinin theu tabu dhe e ktheu Adelën në një nga personazhet më të dashura të atij edicioni.
Pas përfundimit të spektaklit, ajo ndërtoi me punë një karrierë në gazetari, duke u bërë pjesë e redaksive dhe ekraneve të njohura shqiptare.
Por jeta nuk u tregua e drejtë me të.
Më 29 tetor 2017, Adela u nda papritur nga jeta në moshën 31-vjeçare, pikërisht kur kishte ende shumë ëndrra dhe projekte përpara.
Ikja e saj la pas një dhimbje të madhe, veçanërisht te miqtë dhe kolegët. Eraldo, i cili kishte ndarë me të jo vetëm punën, por edhe një miqësi të ngushtë, nuk ka reshtur së kujtuari ndër vite.
Nëntë vjet më vonë, Adela vazhdon të kujtohet jo vetëm për historinë që shkroi në televizion, por edhe për guximin për ta jetuar jetën sipas zgjedhjeve të saj.
Një jetë që përfundoi shumë herët, por një emër që nuk u harrua.

Comments are closed.