KUÇOVË – Një incident me armë zjarri ka ndodhur pasditen e kësaj të marte, më 3 nëntor, rreth orës 16:46, në ambientet e Bazës Ajrore të Kuçovës, ku një ushtarak i Forcave të Armatosura është plagosur gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, efektivi i identifikuar me inicialet E.D. ka pësuar një plagë tejperçuese me armën e vet të shërbimit në zonën e shpatullës. Menjëherë pas shkrepjes së armës, kolegët dhe stafi ushtarak në vendngjarje i kanë dhënë ndihmën e parë emergjente, për ta transportuar më pas me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit për vlerësimin e parë mjekësor.
Ekipi mjekësor në spitalin e Beratit konfirmoi se parametrat jetësorë të ushtarakut janë brenda normave dhe se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, për shkak të nevojës për një trajtim më të specializuar kirurgjikal dhe diagnostikim të detajuar, ushtaraku është nisur me reanimacion drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë.
Në ambientet e Bazës Ajrore të Kuçovës kanë mbërritur forcat e Policisë Ushtarake dhe grupi hetimor. Ekspertët po kryejnë të gjitha procedurat standarde, përfshirë ekspertizën balistike të armës së shërbimit dhe pyetjen e dëshmitarëve okularë, për të zbardhur rrethanat e plotë nëse bëhet fjalë për një shkrepje të pakujdesshme apo incident teknik.

Comments are closed.