Skip to content

Ekskluzive/ Kush janë dy izraelitët “misteriozë” që do të ndihmonin Vlora Hysenin të arratisej

Nga Boldnews.al

Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi masën e “arrestit në shtëpi” për ish-drejtuesen e SHISH-it, pasi ekziston rreziku i arratisjes së saj.

Prokuroria e Posaçme dyshon se të paktën dy shtetas izraelitë mund të ndihmonin zyrtaren e lartë që të largohej nga Shqipëria, për t’iu shmangur hetimit penal për akuzat e “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrja e sekretit hetimor”, në kuadër të dosjes kriminale “AKSHI”.

“Komunikimet e ndërmjetësuara nga Ergys Agasi me shtetas të huaj, (të identifikuar me pseudonimet Shalev Israel dhe Srulik Einhorn Koces), të cilët përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me drejtuesen e shërbimit sekret, tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal, rrjet ky që rrit shkallën konkrete të rrezikut se Znj. Hyseni, po të mbetej në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo të fshehjes që janë jashtëkontrollit efektiv të organeve proceduese”, thuhet në një pjesë të dosjes, të siguruar ekskluzivisht nga “Boldnews.al”.

Në materialet hetimore nuk jepen më shumë detaje për këta dy personazhe misteriozë. Megjithatë, prokurorët e posaçëm duhet të kenë më shumë të dhëna mbi komunikimet dhe rolin e tyre në këtë histori, të cilat i kanë përdorur si argument për të caktuar masën e sigurimit ndaj numri një të Shërbimit Inteligjent Shqiptar.

Lexo edhe:
“Edi Rama dorëzo pushtetin”/ Protestë para SPAK-ut
SPAK jep pretencën për “Plumbin e Artë”, 302 vite burg për 15 të pandehurit
Vlora Hyseni u vendos nën masën e sigurimit “arrest në shtëpi” në 22 shtator të vitit 2026, në vijim të hetimeve të nisura më herët për “grup të strukturuar kriminal” ndaj disa personave, mes të cilësve edhe Ergys Agasi.

Agasi u arrestua në 26 gusht të këtij viti, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme, të lëshuar që në dhjetor të vitit të kaluar.

Ergys Agasi, së bashku me ish-drejtuesen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, zëvendësen e saj, Hava Delibashi, biznesmenin Ermal Beqiri dhe disa persona të tjerë, dyshohen nga Prokuroria e Posaçme se kanë formuar një grup të strukturuar kriminal për të manipuluar tenderat miliona euro të pajisjeve dhe programeve kompjuterike publike.

Në foto: Ergys Agasi në momentin e arrestimit
Agasi qëndroi për më shumë se 10 muaj në arrati, dhe, sipas SPAK-ut, kjo edhe falë mbështetjes që ai kishte marrë nga drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.

Pas arrestimit të Agasit, prokurorët e posaçëm ekspertuan telefonat e tij dhe zbuluan lidhjen e fortë personale mes tij dhe shefes së Shërbimit Sekret. Në biseda mes tyre, grupi hetimor zbuloi edhe angazhimin e Vlora Hysenit për ta ndihmuar Ergys Agasin që t’i shmangej arrestimit.

Si doli emri i Vlora Hysenit

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se, pas arrestimit të Agasit, është kryer kqyrja e pajisjeve të tij telefonike. “Në platformën ‘Signal’ rezulton se ai ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, që prej datës 28.06.2026 e deri më datë 26.08.2026 (dita e kapjes së tij), me përdoruesin e regjistruar me numrin e telefonit +38 3xxxx4303”.

Më tej, prokurorët thonë se “identifikimi i këtij përdoruesi si Znj. Vlora Hyseni mbështetet ndër të tjera në kontrollin e kryqëzuar me platformën “Viber”, ku i njëjti numër telefoni rezulton i regjistruar me emrin “Vlora” dhe me fotografi që kanë karakteristika fizike të ngjashme me Znj. Vlora Hyseni”.

Në foto: Ish-drejtoresha e SHISH, duke dalë nga Prokuroria e Posaçme
Po ashtu, “Ergys Agasi e ka regjistruar këtë kontakt me inicialet “V H”. Në përmbajtjen e komunikimeve rezulton se përdoruesi është nga Kosova, punon në Tiranë dhe ka takime të shpeshta, për shkak të detyrës, me Kryeministrin e vendit — rrethanë që përkon me detyrën publike të Znj. Vlora Hyseni”.

Dhe, në fund, Prokuroria e Posaçme thotë se Vlora Hyseni e ka konfirmuar vetë se është përdoruese e atij numri telefoni dhe ka komunikuar me Agasin nëpërmjet platformave “Whatsapp” dhe “Signal”, deri në ditën e arrestimit të tij.

“Unë kam pasur komunikim me z. Agasi, pasi ai më ka ofruar që të bëhet bashkëpunëtor, por nuk e kam takuar fizikisht dhe as nuk i kam dhënë informacione sekrete”, është shprehur Vlora Hyseni, gjatë intervistës në SPAK, pak ditë para se ndaj saj të caktohej masa e sigurimit “arrest në shtëpi”.

Deklarimet e zonjës Hyseni nuk kanë bindur prokurorët, të cilët kanë krijuar bindjen se Ergys Agasi, “jo vetëm që nuk është në rolin e “bashkëpunëtorit”,por në të kundërt është ai qe merr dhe dikton informacionin e marrë”.

Published inBank

Comments are closed.