Edi Rama ka nisur të flasë ndryshe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Kryeministri, i cili e ka vendosur vitin 2030 në qendër të objektivit politik për anëtarësimin e vendit, tashmë po u kushton gjithnjë e më shumë vëmendje pasigurive që mund të vijnë nga vetë Europa.
Nga Parisi, ku mori pjesë në Forumin e Paqes, Rama deklaroi se Shqipëria synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit në fund të vitit 2027, por vetëm nëse procesi ecën sipas planit. Për anëtarësimin e plotë, ai nuk dha një garanci, duke theksuar se vendimmarrja nuk është vetëm në duart e qeverisë shqiptare.
Në këtë mënyrë, teksa objektivi i vitit 2030 mbetet ende larg realizimit, kryeministri nisi të vendosë në qendër të diskutimit një faktor tjetër: të ardhmen politike të Bashkimit Europian.
“E dini shumë më mirë se nuk premton dot asgjë për Europën. Unë kurrë nuk premtoj dot për gjëra që s’varen prej meje. Ajo që është e qartë, bazuar në progresraportin, Komisioni Europian është shprehur se 2027 është viti kur duhet të punojmë me Traktatin e Anëtarësimit dhe nëse çdo gjë shkon mirë, do t’i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm”, deklaroi Rama.
Kjo deklaratë tregon se edhe mbyllja e negociatave, një hap i domosdoshëm përpara anëtarësimit të plotë, mbetet një objektiv i kushtëzuar.
Por kryeministri shkoi edhe më tej, duke ngritur pikëpyetje mbi atë se çfarë do të ndodhë me vetë Bashkimin Europian gjatë viteve të ardhshme. Ndërkohë vjet premtimi i Ramës në fushatë ishte: Integrimi në 2030.
“Kjo do të varet se ku do të jetë BE për 2-3 vjet. Ku do të jetë Franca. Ju keni zgjedhje vitin e ardhshëm, askush nuk e di se ç’lloj France do të dalë nga këto zgjedhje. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të përfundojmë punën tonë”, u shpreh ai.
Në Paris flet për paqen, në Shqipëri shtyp protestuesit; Rama tenton të minimizojë revoltën kundër tij
10 Nëntor, 18:22
Pikërisht kjo pjesë e deklaratës përbën edhe ndryshimin më të dukshëm të tonit të Ramës. Kryeministri nuk po flet vetëm për detyrat që duhet të përmbushë Shqipëria, por po e lidh realizimin e objektivit të anëtarësimit me zhvillime politike që nuk varen prej saj.
Duke përmendur zgjedhjet në Francë dhe të ardhmen e panjohur të Bashkimit Europian, Rama po i shton debatit për vitin 2030 një argument të ri: edhe nëse Shqipëria përfundon punën e saj, anëtarësimi mund të varet nga vendimet dhe klima politike në vendet anëtare.
Ky është një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën se si kryeministri po e komunikon objektivin europian. Viti 2030 është përdorur si pikë referimi për ambicien e qeverisë, ndërsa tani Rama po thekson se nuk mund të premtojë një rezultat që kërkon edhe miratimin e vendeve të BE-së.
Në Forumin e Paqes, kryeministri foli edhe për emigracionin, duke kundërshtuar idenë se largimi i shqiptarëve duhet parë si një prirje në rritje. Sipas tij, vendi ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit dhe qytetarët sot kanë pritshmëri më të larta.

Comments are closed.