Skip to content

E fundit! Doreheqje te bujshme në qeveri

Furtunë dorëheqjesh në institucionet kyçe të vendit/ Largohen drejtuesit e AAC-së dhe KESH-it, emrat e tyre pjesë e dosjes “Balluku”

TIRANË – Vala e dorëheqjeve në radhët e drejtuesve të institucioneve publike ka përfshirë disa nga sektorët më strategjikë të vendit, pas urdhrit të drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama për largimin e drejtuesve të 132 institucioneve në varësi të ministrive.

Ndër lëvizjet më kryesore të konfirmuara së fundmi janë largimi i Drejtorit Ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Maksim Et’hemaj, si dhe dorëheqja e Viola Haxhiademit nga drejtimi i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Këto ndryshime vijnë paralelisht me prezantimin zyrtar të Andrea Shllakut në krye të Autoritetit Portual të Durrësit, pas largimit të Liburn Aliut.

Rokada në drejtimin e institucioneve të aviacionit dhe energjisë
Maksim Et’hemaj, i cili e drejtonte Autoritetin e Aviacionit Civil prej fundit të vitit 2021, ka lënë zyrtarisht postin. Në vend të tij në krye të AAC-së është emëruar Dritan Isaku, i cili më parë mbante detyrën e drejtuesit të shërbimit të navigimit ajror, Albcontrol.

Nga ana tjetër, largimi i Viola Haxhiademit nga drejtimi i KESH-it hap rrugën për ristrukturimin e korporatës më të madhe publike të prodhimit të energjisë në vend, në një kohë kur i gjithë sektori i infrastrukturës po i nënshtrohet një procesi riorganizimi teknik dhe administrativ.

Lidhja me dosjen hetimore të SPAK-ut dhe grupi “Dhërmi”
Përveç urdhrit politik për lëvizje në masë, largimet e Et’hemajt dhe Haxhiademit marrin një peshë të veçantë për shkak të pranisë së emrave të tyre në dokumentet e SPAK-ut lidhur me hetimet ndaj ish-zyrtarëve të lartë dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas dosjes hetimore të SPAK-ut, nga këqyrja e telefonit të ish-drejtoreshës, hetuesit kanë zbuluar një grup komunikimi në aplikacionin WhatsApp, të krijuar në qershor të vitit 2019 nga vetë Balluku, i cili mbante emërtimin “Dhërmi”.

Në materialet e prokurorisë citohet se në këtë grup komunikimi bëjnë pjesë shtetasit:

Belinda Balluku

Viola Haxhiademi

Matilda Kërçaku

Maksim Et’hemaj

Alketa Pano

Sipas verifikimeve të kryera nga organet e hetimit, të gjithë anëtarët e këtij grupi rezultojnë se kanë në pronësi ose përdorim njësi banimi apo vila luksoze në kompleksin rezidencial “White Rocks” në bregdetin e Dhërmiut. Ndërlidhja e funksionarëve publikë me këtë projekt zhvillimor po ekzaminohet nga hetuesit në kuadër të procedimeve për shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie.

Published inBank

Comments are closed.