Skip to content

Shkëputet një pjesë e fasadës së pallatit, rrezikohen kalimtarët, thuhet se ka…

Një ngjarje që rihap shqetësimin mbi sigurinë e ndërtimeve dhe mirëmbajtjen e fasadave është regjistruar në lagjen nr. 1 të qytetit të Durrësit, në afërsi të godinës së Universitetit. Pjesë nga fasada e jashtme e një pallati janë shkëputur papritur nga lartësia, duke rënë me forcë në trotuar dhe në hapësirën ku lëvizin çdo ditë me dhjetëra kalimtarë e studentë.

Rënia e materialeve të ndërtimit në formë copash të mëdha suvaje ka shkaktuar panik te banorët dhe kalimtarët e rastit. Për fat të mirë, në ato momente nuk ka pasur këmbësorë direkt nën pikën e rënies, duke shmangur një tragjedi të mundshme. Megjithatë, nga goditja e copave të suvasë është dëmtuar një automjet i parkuar pranë ndërtesës.

Kjo ngjarje nuk është një rast i izoluar në qytetin e Durrësit. Periodikisht në zona të ndryshme të qytetit – veçanërisht te ndërtesat e vjetra apo ato të dëmtuara nga lagështira dhe faktorët atmosferikë – janë regjistruar incidente të ngjashme ku pjesë të fasadave ose ballkoneve shkëputen pa asnjë paralajmërim.

Banorët e zonës dhe tregtarët përreth shprehin shqetësimin se mungesa e kontrolleve teknike, vjetërsia e godinave dhe mosndërhyrja me kohë nga administratorët e pallateve apo organet kompetente po i shndërrojnë trotuaret pranë ndërtesave në një rrezik konstant për jetën e këmbësorëve. Ata bëjnë thirrje për verifikim me urgjencë të godinave me risk dhe rrethim të menjëhershëm të hapësirave ku mund të ketë sërish rrëshqitje apo shkëputje suvasë.

Published inBank

Comments are closed.