Skip to content

VLONJATI në tarracën e lokalit të kompleksit sportiv, shokët e 39-vjeçarit ia mbathin vrapit

Janë publikuar ditën e sotme pamjet e momentit të ekzekutimit të shqiptarit Luka Beqiraj në Spanjë, i cili më 10 nëntor u vra me armë zjarri në mes të ditës, teksa ndodhej në tarracën e një lokali brenda një kompleksi sportiv në Orihuela Costa, në provincën e Alicantes.

Siç mund ta shikoni dhe në pamjet e mëposhtme të publikuara nga gazetari Artan Hoxha, shikohet momenti kur autori i afrohet tavolinës ku qëndronte 39-vjeçari nga Vlora dhe hap zjarr në drejtim të tij.

Në pamje po ashtu dallohen edhe personat e tjerë që ndodheshin në tavolinë, të cilët shikohen duke vrapuar pas të shtënave me armë, në përpjekje për t’i shpëtuar sulmit.

Ndërkaq, autori shikohet duke u larguar nga vendngjarja me një monopatinë elektrike, ndërsa 39-vjeçari nga Vlora ndërroi jetë në vendngjarje.

Autoritetet spanjolle kanë bërë me dije se deri në këto momente autori vijon të jetë në kërkim.

Mënyra e organizimit dhe ekzekutimit të atentatit ka ngritur dyshime te hetuesit se ekzekutimi i Beqirajt është kryer me pagesë ose për larje hesapesh.

Mediat spanjolle kanë raportuar së fundmi se po verifikohen edhe lidhjet e mundshme të ngjarjes me rrjetet e krimit të organizuar që veprojnë në zonat bregdetare të Alicantes dhe Mursias. Deri në këto momente që raportojmë motivi i ngjarjes mbetet i paqartë.

Siç kemi raportuar, i riu me origjinë nga Vlora, rezulton të jetë me precedentë të mëparshëm kriminalë në Shqipëri e jo vetëm. Një hulumtim i bërë rreth jetës së tij, nxjerr në pah se problemet e tij me drejtësinë shqiptare dhe atë italiane datojnë që para dhjetë vitesh, kur ai ishte vetëm 28 vjeç.

Në 2016, Beqiraj u vu në pranga dhe u dënua për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”. Vetëm tre vite më vonë, emri i tij u rendit në mesin e dhjetërave anëtarëve të një grupi kriminal që ishte implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike.

Vlonjati u vu në pranga në sajë të një operacioni të përbashkët të kryer mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane. Asokohe, në Vlorë, gjatë ndërhyrjes së policisë, u ndaluan gjashtë persona: Luka Beqiraj, Bilbil Kabello, Arbnor Hoxhaj, Denis Pashaj, Kujtim Elmazi dhe Kristian Llanaj.

Hetimet e autoriteteve italiane zbuluan veprimtarinë e një rrjeti kriminal që dyshohej se kishte trafikuar rreth 10 tonë lëndë narkotike gjatë viteve të aktivitetit të tij.

Sipas hetimeve, droga, kryesisht marijuanë, transportohej nga Shqipëria drejt Italisë, ku fillimisht magazinohej në zonën e Salentos. Më pas, lënda narkotike shpërndahej në rajone të ndryshme të territorit italian përmes lidhjeve të rrjetit kriminal, që vepronte mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë.

Në 2020, Luka Beqiraj, asokohe 32 vjeç, u dënua me katër vite e gjysmë burg dhe një gjobë prej 24 mijë eurosh për përfshirjen e tij në veprimtarinë kriminale të trafikut të drogës.

Published inBank

Comments are closed.