Shënjestra e mashtrimit ishte pronari i “Anchor Investments”, emri i të cilit është përmendur në investigimet e Pamfletit për dyshimet e pastrimit të parave të kokainës përmes kullës “Tirana Tower”. SPAK ka sekuestruar dhjetëra pasuri në këtë projekt.
Muça, 25 vjeç, tentoi t’i merrte 1 milion euro biznesmenit Ardi Kollçaku, duke përdorur identitetin e kryeministrit Edi Rama. Përse u zgjodh pikërisht Kollçaku dhe kush e bindi të riun se një biznesmen i përfshirë në dosjen e SPAK për pastrimin e parave të kokainës mund të paguante një shumë kaq të madhe?
Një milion euro nuk është një shumë që kërkohet rastësisht, aq më tepër kur mashtruesi zgjedh të përdorë emrin e kryeministrit Edi Rama. Albi Muça, 25-vjeçari i arrestuar sot nga Policia e Tiranës, kishte zgjedhur si shënjestër biznesmenin Ardi Kollçaku, pronarin e kompanisë “Anchor Investments”, emri i të cilit është përmendur në hetimet e SPAK për pastrimin e parave të trafikut ndërkombëtar të kokainës përmes kullave në Tiranë.
Ngjarja është paraqitur si një tentativë mashtrimi përmes aplikacionit Signal, ku i riu, duke përdorur identitetin e Edi Ramës, i kërkoi biznesmenit plot 1 milion euro. Kollçaku e kuptoi se bëhej fjalë për mashtrim dhe iu drejtua Policisë, e cila organizoi operacionin “Request” dhe arrestoi Albi Muçën në flagrancë.
Mirëpo, përtej arrestimit të një 25-vjeçari që u hoq si kryeministër, historia ngre disa pyetje shumë më interesante. Përse mashtruesi zgjodhi pikërisht Ardi Kollçakun? Përse i kërkoi 1 milion euro dhe jo 10 apo 20 mijë euro? Mbi çfarë informacioni u mbështet kur mendoi se biznesmeni mund të nxirrte nga xhepi një shumë të tillë vetëm sepse dikush i shkruante në emër të Edi Ramës?
A ishte një përpjekje e verbër për të zhvatur para nga një biznesmen i pasur, apo personat pas skemës kishin dijeni për marrëdhënie, interesa dhe pazare të mundshme që e bënin Kollçakun një shënjestër të përshtatshme?
Këto dyshime marrin peshë kur shihet profili i biznesmenit.
Ardi Kollçaku është një emër që Pamfleti e ka trajtuar në disa investigime për sektorin e ndërtimit dhe dyshimet mbi origjinën e parave të investuara në kullat e Tiranës.
Në qershor të këtij viti, SPAK dhe BKH zhvilluan një operacion të gjerë kundër një rrjeti të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave. Hetimet prekën edhe projektin “Tirana Tower”, ku kompania “Anchor Investments” e Kollçakut zotëron 50% të investimit.
Pjesa tjetër e projektit ndahet mes kompanive “Altea Construction” dhe “Brain VP”, me nga 25% secila. Sipas dokumenteve të trajtuara më parë nga Pamfleti, këto dy shoqëri janë lidhur nga hetuesit me dyshimet për futjen e parave të trafikut të drogës në sektorin e ndërtimit.
Në kuadër të operacionit, SPAK vendosi nën sekuestro 32 apartamente, 6 njësi tregtare dhe 52 poste parkimi në godinën shumëkatëshe në rrugën “Xhanfize Keko”, të identifikuar në investigimet e Pamfletit si “Tirana Tower”.
Një hollësi tjetër është se Vasil Pelini, administratori dhe ortaku i vetëm i “Brain VP”, rezulton njëkohësisht administrator i “Anchor Beton”, shoqërisë së lidhur me grupin e biznesit të Kollçakut. Kjo lidhje mes kompanive dhe administratorëve është një nga elementet që Pamfleti ka evidentuar në investigimet e mëparshme.
Kollçaku nuk figuron mes personave ndaj të cilëve u vendosën masa sigurie në operacionin e qershorit. Megjithatë, struktura e bashkëinvestimit dhe marrëdhëniet mes kompanive kanë qenë objekt i pyetjeve të ngritura publikisht për origjinën e financimeve.
Pikërisht këtu historia e mashtrimit me emrin e Edi Ramës bëhet edhe më interesante.
Një 25-vjeçar vendos të kontaktojë një biznesmen që zhvillon projekte ndërtimi me vlera miliona euro dhe që është përmendur në një dosje të rëndësishme të SPAK. Nuk i kërkon një shumë modeste, por plot 1 milion euro. Për t’ia bërë kërkesën të besueshme, zgjedh identitetin e njeriut që drejton qeverinë dhe kryeson institucionin që miraton lejet për projektet e mëdha të ndërtimit.
Përse mendonte se kjo formulë do të funksiononte?
A kishte dëgjuar Muça për ndonjë marrëdhënie të caktuar mes biznesmenit dhe njerëzve të pushtetit? A ishte në dijeni të ndonjë pazari të pretenduar, apo thjesht po shfrytëzonte emrin e kryeministrit për të trembur një biznesmen të fuqishëm?
Këto janë pista që kërkojnë verifikim.
Megjithatë, zgjedhja e shënjestrës dhe shuma e kërkuar janë dy elemente që meritojnë vëmendje të veçantë.
Madje, vetë Policia ka njoftuar se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast dhe në skema të ngjashme. Kjo do të thotë se hetimi nuk është mbyllur me arrestimin e Albi Muçës.
Nëse pas tij qëndrojnë persona të tjerë, çfarë dinin ata për Kollçakun? Kush e përzgjodhi biznesmenin dhe kush e përcaktoi shumën prej 1 milion eurosh? A u përdor identiteti i Ramës vetëm për t’i dhënë peshë mashtrimit, apo autorët besonin se emri i kryeministrit mund të shërbente si një argument bindës për një kërkesë të tillë financiare?
Përgjigjet gjenden te komunikimet e sekuestruara, marrëdhëniet mes personave të përfshirë dhe origjina e informacionit mbi biznesmenin. /Pamfleti

Comments are closed.