Moti i keq ka shkaktuar probleme në trafikun ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku pesë avionë janë detyruar të devijojnë drejt aeroporteve alternative për shkak të pamundësisë për t’u ulur në Rinas.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kushtet e pafavorshme atmosferike kanë vështirësuar uljen e avionëve, ndërsa fluturimet në nisje nga aeroporti “Nënë Tereza” vijojnë normalisht.
Reshjet kanë krijuar problematika edhe në disa akse rrugore të vendit, ku janë raportuar rënie gurësh dhe inertesh. Ndër segmentet e prekura janë Bogë–Theth, Bajram Curri–Valbonë, Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec dhe Rrëshen–Shpal–Qafë Bene. Megjithatë, qarkullimi në të gjitha akset nacionale vijon normalisht.
Probleme janë regjistruar edhe në furnizimin me energji elektrike, ku 52 fidera rezultojnë jashtë funksionit, kryesisht në zonat rurale të Matit, Mirditës, Lushnjës dhe Bajram Currit. Grupet e punës ndodhen në terren për riparimin e defekteve.
Ndërkohë, në Portin e Durrësit, tragetet kanë mbërritur në orar dhe përpunimi i kontejnerëve vijon normalisht, ndërsa reshjet kanë ndërprerë përkohësisht shkarkimin e një pjese të mallrave.
Ministria bën të ditur se sistemi i transmetimit të energjisë dhe furnizimi me ujë të pijshëm paraqiten përgjithësisht pa probleme, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë punën për normalizimin e situatës në zonat e prekura.

Comments are closed.