Ish-deputeti socialist, Halit Valteri është emëruar në detyrën e kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT).
Burime për mediat bëjnë me dije se kryebashkiaku Erion Veliaj ka emëruar Halit Valterin në krye të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës, gjashtë ditë pas shkarkimit të Rigers Sheqerit nga ky post.
Siç kemi raportuar dhe më parë, Sheqeri u shkarkua më 20 nëntor 2026, ndërsa në vendin e tij është emëruar Halit Valteri, ish-deputet dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Nga sot, Valteri merr drejtimin e institucionit që ka në kompetencë kontrollin e territorit, inspektimin e ndërtimeve dhe evidentimin e shkeljeve në fushën e zhvillimit urban në kryeqytet.
Pas vendimeve të Veliajt për ta liruar nga detyra, Sheqeri doli me deklaratë zyrtare nga faqja e IMT-së, nga ku bëri një bilanc të punës gjatë dy viteve e 3 muajve që ai ka qenë në krye të këtij institucioni, duke theksuar se janë arritur rezultate konkrete.
Më tej ai ka falenderuar stafin e IMT-së dhe kryeministrin Edi Rama për besimin e dhënë. Sa i përket arsyeve të largimit ai ka zgjedhur të mos shkruajë as edhe një rresht.

Comments are closed.