Skip to content

Ëndrra zgjati vetëm 2 raunde! Nelson Hysa humb ndeshjen e jetës, i ndodh e keqja e madhe nga kundërshtari

Ëndrra e Nelson Hysës për t’u shpallur kampion bote në peshën e rëndë është ndërprerë në mënyrë të dhimbshme. Boksieri shqiptar është mundur nga gjermani Agit Kabayel në duelin e zhvilluar në Dyseldorf, ku ishte në lojë titulli kampion bote në kategorinë WBC.

Sfida përfundoi që në raundin e dytë, pasi Hysa pësoi një dëmtim në krahun e djathtë, i cili e pengoi të vazhdonte përballjen. Pavarësisht përpjekjeve për të qëndruar në ring, stafi i boksierit shqiptar vendosi të hidhte peshqirin, duke i dhënë fund duelit me KO teknik.

Ironikisht, Hysa po shfaqej mirë në raundin e dytë dhe po kërkonte të rivalizonte kundërshtarin, por dëmtimi ndryshoi gjithçka. Kabayel vijoi të sulmonte, ndërsa situata u bë gjithnjë e më e tensionuar, deri në ndërhyrjen e gjyqtarit dhe ndërprerjen e përballjes.

Kjo është humbja e parë në karrierën profesioniste të Nelson Hysës, i cili deri më tani kishte regjistruar 25 fitore. Në krahun tjetër, Agit Kabayel vazhdon të mbetet i pamposhtur, duke çuar në 28 numrin e fitoreve të tij.

Një përfundim zhgënjyes për boksierin shqiptar dhe për të gjithë tifozët kuqezi, të cilët shpresonin që Hysa të shkruante historinë duke fituar titullin botëror.

Published inBank

Comments are closed.