Ambasadori palestinez ‘t*llet politikisht’ me Kosovën! Ja pse nuk e njohim pavaresine, dhe cfare i kerkova Presidentit

I ftuar në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, ambasadori i Palestinës në Tiranë, Sami Mhanna, iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Thimi Samarxhi lidhur me arsyen pse shteti i Palestinës nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Gazetari theksoi se shumë shqiptarë mbështesin çështjen palestineze, por nuk e kuptojnë arsyen pse Palestina nuk e ka ndërmarrë ende hapin e njohjes që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Ambasadori Mhanna theksoi se kjo pyetje i është bërë shpesh në media dhe se është i vetëdijshëm për mbështetjen e shqiptarëve ndaj popullit palestinez. Ai nënvizoi se Palestina nuk ka asnjë problem me popullin e Kosovës, por se vendosja e ambasadës kosovare në Jerusalem është arsyeja kryesore e mosnjohjes.

“Që kur Kosova vendosi ambasadën e saj në Jerusalem, ne e konsiderojmë atë një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar. Kjo është arsyeja pse Palestina nuk e njeh Kosovën,” tha ambasadori.

Megjithatë, ambasada e Kosovës në Jerusalem u hap në mars 2021, pra plot 13 vite pas shpalljes së pavarësisë, çka e bën këtë argument të duket më shumë si një justifikim politik, duke marrë parasysh marrëdhëniet e afërta mes Palestinës dhe Serbisë, e cila është kundërshtari kryesor i shtetësisë së Kosovës.

Në lidhje me qëndrimin e Shqipërisë në forumet ndërkombëtare, ku shpesh është pozicionuar me abstenim në çështjet që lidhen me Palestinën, ambasadori shprehu zhgënjim:

“Kam folur me presidentin Bajram Begaj, i cili na mbështet. Do të doja që qeveria shqiptare të na mbështeste më shumë. Nuk e kuptoj pse Shqipëria abstenon në forumet ndërkombëtare dhe pse na e ka kthyer shpinën, kur lufta nuk është mes Izraelit dhe Hamasit, por mes Izraelit dhe popullit tonë.”

Ai shtoi se do të dëshironte që shqiptarët të flisnin më shumë për çështjen palestineze dhe të shfaqnin solidaritet më të madh.

“Nuk besoj se Kryeministri Rama është pro gjenocidit dhe kjo është diçka e mençur prej tij,” përfundoi ambasadori.