Edi Rama xhindoset nga “rebelët”, ja prapaskenat e shkarkimit te Veliajt

Kryeministri u xhindos kur disa këshilltarë dolën hapur në krah të Veliajt, duke i shndërruar llogaritë e tij për shkarkimin në një puç të dështuar që po i hap plagë brenda PS-së…

Edi Rama është xhindosur nga mbrojtja që disa këshilltarë i bënë Erion Veliajt në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Dy anëtarë folën hapur në publik, ndërsa tre të tjerë e mbështetën në heshtje. Aldo Merkoçi ishte zëri kryesor në mbrojtje të Veliajt, i paralajmëruar paraprakisht nga kolegët për këtë qëndrim. Në të njëjtën linjë doli edhe Alfred Muharremi. Ndërsa Joleza Koka dhe Gaz Paja munguan në seancë, dhe këshilltari i djathtë Fabian Topollaj votoi kundër vendimit.

“Koalicioni” Rama–Berisha për të miratuar shkarkimin e Veliajt nuk i dha kryeministrit rezultatin e pritur. Ai kërkonte një “punë të pastër”, por në fund gjithçka u kthye në bumerang politik. Edhe pse deri dje Veliaj ishte më i sulmuari nga opozita dhe nga media, pas seancës u krijua përshtypja se kryeministri po ndërmerr një puç politik kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Rezistenca e papritur, edhe në kushte të izolimit të rëndë në burg, ka prodhuar një bërthamë qëndrimi kundër Ramës, pavarësisht kërcënimeve. Kryeministri e ka marrë këtë si një sfidë direkte ndaj pushtetit të tij absolut.

Simbolik ishte rasti i Luan Bregasit, një këshilltar i afërt me Veliajn, që në fund iu bind Ramës. Bregasi, i zhytur prej vitesh në borxhe me tatimet e doganat dhe në konflikte gjyqësore për “Birrën Tirana”, madje edhe me projekte të rrëzuara ndërtimi në Komunën e Parisit, i ktheu shpinën Veliajt duke u rreshtuar me Ramën.

Pikërisht ky rebelim ka vënë në lëvizje kryeministrin, i cili që prej mbrëmë ka takuar individë të afërt me Veliajn, duke u kërkuar troç që të deklarojnë publikisht pozicionin e tyre. Rama ka përpiluar edhe lista të mbështetësve të dyshimtë brenda PS-së së Tiranës, të cilët do të verifikohen me detaje.

Kryeministri ka marrë personalisht drejtimin e PS-së në Tiranë dhe të gjithë fushatës, me synimin për të spastruar organizatat socialiste ku dyshohet se ka ndikim Veliaj. Lëvizje që tregon frikën e Ramës, sepse në realitet shumica e drejtuesve lokalë janë militantë të vjetër socialistë, të lidhur me deputetë dhe figura të partisë, jo të sjellë nga Veliaj.

Pavarësisht kësaj, Rama është shumë i shqetësuar. Ai ka frikë se një rezultat i dobët në Tiranë do të interpretohet si fiasko personale. Për këtë arsye, po lobon që opozita të mos hyjë në garë ose të paktën PD të mos marrë pjesë, në mënyrë që të mos ketë shifra krahasuese. Sepse realiteti është i njohur: më 11 maj, edhe pse vetë Rama kandidoi si drejtues i listës në Tiranë, mori më pak vota se në vitin 2021 kur drejtimin politik e kishte Erion Veliaj./Pamfleti