Një aksident tragjik ka ndodhur sot në fshatin Qungur të Pejës, ku përplasja mes një veture dhe një katërçikleti ka rezultuar fatale për një prej të përfshirëve në ngjarje.
Sipas gazetës Sinjali, ngjarja u regjistrua rreth orës 14:00, kur Policia u njoftua për një aksident me pasojë vdekjen. Viktima është identifikuar si Eldion Kelmendi, vëllai i artistit dhe fituesit të “Big Brother VIP 4”, Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti.
Si pasojë e përplasjes, dy persona mbetën të lënduar. Mjeku që mbërriti në vendngjarje konstatoi vdekjen e njërit prej tyre, ndërsa i plagosuri tjetër u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor.
Sipas “Sinjalit” i dyshuari për shkaktimin e aksidentit është shtetasi Gentonis Nikqi, i cili po hetohet nga autoritetet.
Në vendin e ngjarjes ndodhen njësitë policore dhe hetuesit e aksidenteve, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
Lajmi tragjik për humbjen e jetës së Eldion Kelmendit, vëllait të reperit Gjesti, ka bashkuar figurat publike, përfshirë edhe ata që kanë pasur përplasje të forta me të në të kaluarën.
Reagimet e Joz Markut dhe Olsa Muhametit morën vëmendje të veçantë nga publiku.
Kujtojmë se Joz Marku dhe Gjesti patën një përplasje të fortë gjatë qëndrimit në “Big Brother VIP Albania”, e cila kulmoi me një goditje fizike.
Ndërsa Olsa Muhameti është akuzuar shpesh nga Gjesti për manipulim votash në edicionin e Big Brother VIP Kosova, aty ku ai u eliminua.
Pavarësisht kësaj historie, të dy shprehën ngushëllime të thella. Olsa Muhameti u shpreh se është “thellësisht e tronditur” nga lajmi dhe i uroi Gjestit dhe familjes së tij forcë për ta përballuar fatkeqësinë.
Edhe Joz Marku u shpreh me dhimbje: “Lajmi i trishtë për humbjen e një jete kaq të re, na i prek zemrat të gjithëve. Ngushëllimet e mia më të sinqerta…”.
Këto dy reagime, duke marrë parasysh tensionet e forta të mëparshme, janë pritur pozitivisht nga publiku, i cili i sheh si një tregues të humanizmit përballë tragjedisë.
Pas tragjedisë së aksidentit në Pejë, ku humbi jetën Eldion Kelmendi, vëllai i reperit Gjesti, ka reaguar edhe këngëtari Luiz Ejlli.
Luizi, duke iu drejtuar Gjestit, shprehu ngushëllimet e tij, edhe pse ata nuk njihen personalisht.
“Gjest, edhe pse bashke nuk njihemi personalisht, lajmi i sotem eshte i rende dhe prek kedo qe e degjon,” shkroi ai.
Ai i uroi forcë dhe durim Gjestit dhe gjithë familjes Kelmendi në këtë periudhë të vështirë, duke shtuar:
“Kujtimet e bukura te Eldionit, qofshin ngushellim e drite ne ditet qe vijne.”
Ky mesazh i Luizit është pritur me shumë respekt nga publiku, duke u bërë pjesë e reagimeve të shumta nga figura publike pas humbjes së Eldionit.