Paga mesatare e mësuesve do të jetë 1250 euro deri në vitin 2029.
Ky është një nga objektivat e mandatit të katërt të qeverisë, të prezantuara në programin e kabinetit socialist në fushën e arsimit.
“Kur flitet më këto shifra sot duket joshëse, por mos harrojmë se ky është plani për katër vitet e ardhshme që do të thotë kostot ndryshojnë. 1000 euro sot nuk kanë të njëjtën vlerë si para katër vitesh, njësoj do të jetë edhe për 4 vite më vonë. Rritja duhet të bëhet në bazë të indeksit”, shprehet Suela Koçibellinj, aktiviste.
“Mendoj se do jetë një shtysë për t’i motivuar, duke i mirëpaguar do të nxiten të kontribuojnë më shumë”, shprehet Irsa Ruçi- eksperte arsimi.
Investimet do të përqendrohen në transformimin digjital të shkollave, si dhe përfshirjen e inteligjencës artificiale në mësim si plan për të arritur “Shqipërinë në BE në 2030”. Ndërsa premtojnë se do të testojnë përfshirjen e ushqimit në institucionet arsimore duke e pilotuar në çdo bashki qendër qarku. Por ekspertët vlerësojnë se nuk duhet të ketë diferencime midis shkollave.
“Ushqimi është nevojë. Por ky ka qenë një nga premtimet e fushatës, tani duhet parë a do kthehet në një plan veprimi? A do të realizohet brenda 4 vitesh për gjithë Shqipërinë?”, shton aktivistja.
Zgjatja e orarit të qëndrimit të nxënësve në mjediset arsimore është një tjetër synim i qeverisë socialiste, përmes një programi të ri pas shkollor
“Prindërit do ndiejnë siguri se do jenë po brenda mureve të shkollës, po me mësuesit që njohin. Sepse kohët e fundit janë hapur shumë after school, qendra private që nuk janë nën kontroll dhe ka pikëpyetje për cilësinë”, shprehet Irisa Ruçi.
Gjithashtu, fuqizimi i arsimit profesional është në fokus të “Rama 4”, ku parashikohet dyfishimi i të rinjve, duke arritur 35% e numrit të përgjithshëm të nxënësve. Investimi pritet të shkojë në 60 milionë euro në ndërtimin e shkollave profesionale dhe instalimin e laboratorëve teknikë.