Analisti Andi Bushati tha sot se shqiptarët nuk jetojnë në një sistem demokratik.
I ftuar në një emision në ‘Syri Tv’, Bushati u ndal edhe te raportet e ndërkombvëtarëve për politikën shqiptare, duke theksuar se kërcënimet nga kriminelët apo punonjësit e shtetit duhen denoncuar.
Bushati përmendi edhe rolin e medias dhe drejtësisë në funksionimin e demokracisë në një vend.
“Nga i gjithë raporti, që ka shumë gjëra të përsëritura, nënvizova një shprehje për investitorët e huaj që shantazhohen njëkohësisht nga administrata, media dhe krimi i organizuar. Vetë fakti që përfshin edhe ne, mediat, është i tmerrshëm.
Nuk do të ndalem te kjo, por do të ndalem te çfarë pasqyre është kjo renditje.
Në një shoqëri demokratike, kur të kërcënon ose një kriminel ose një punonjës i shtetit, ose do të shkosh të denoncosh në media, ose do të shkosh te drejtësia. Kur as mediat dhe as gjykatat nuk të japin zgjidhje, atëherë unë them: edhe sikur të mos kishim opozitë dhe qeveri, por t’i fusnim këto të dhëna në një inteligjencë artificiale dhe t’i thonim: “Në një vend ku një biznesmen kërcënohet dhe nuk gjen të drejtën në asnjë gjykatë a është ky një vend demokratik apo një regjim autokratik?” nuk kam bërë testin, por çdo program me AI e gjen menjëherë se çfarë është demokracia.Ne nuk jetojmë më në demokraci. Por, sa më shumë vazhdojmë të debatojmë për këtë, aq më shumë fakte mblidhen në këtë drejtim. Nëse një biznesmen, që ka edhe fuqinë e parasë, nuk gjen të drejtën, po një qytetar i thjeshtë ku do ta gjejë atë?
Të marrim raportin dhe ta bëjmë pjesë të debatit, ta përshtatim për çfarë na intereson ne sepse ai është një vërtetim i qartë që, fatkeqësisht, këtu demokracia ka vdekur”,-tha Bushati./CNA