Paralajmërimi publik i Erion Veliajt për të zbuluar “rrëfime” mbi kurthin ndaj tij ka trazuar skenën politike dhe ka nxitur reagime nervoze nga Edi Rama. Hetimi i ri për prishjet në “5 Maj” duket më shumë si një kundërpërgjigje e pushtetit sesa një proces real ligjor. Por mesazhi i Veliajt lë të kuptohet se shënjestrat e tij nuk janë vetëm kryeministri, por edhe figurat që e rrethojnë, duke rrezikuar të godasë vetë kolonat mbi të cilat mbahet pushteti i Ramës.
Nisja e hetimit të radhës ndaj Erion Veliajt për prishjet në “5 Maj” mund të duket e rastësishme, por fakti që ndodhi një ditë pasi ish-kryebashkiaku i shkarkuar paralajmëroi se “tani do të flas hapur”, e bën të duket si një lëvizje e koordinuar politike.
Më 11 shtator, sapo Rama deklaroi publikisht se do të shkarkonte Veliajn, SPAK çoi një tjetër dosje në Gjykatë. Kjo nuk është hera e parë: sa herë ka pasur sinjale për një veprim të Veliajt, është “rastisur” edhe një akt i ri procedurial.
Një mesazh i fortë nga Veliaj
Në mesazhin e tij të fundit në rrjete sociale, Veliaj shkroi:
“Po postoj për të gjithë, rrëfimin e parë të një serie rrëfimesh, nga ata që, me ose pa dashje, kontribuan në kurthin e ngritur ndaj meje, që prodhoi një hetim të paligjshëm nga anonimati, një vetting 20-vjeçar të jetës sime, një kryeqytet të sabotuar teksa ishte në kulmin e suksesit, një persekutim çnjerëzor të familjes sime dhe një izolim grotesk, si të isha kriminel lufte apo drejtues kartelesh”.
Ky mesazh, sipas burimeve, ka shqetësuar jo vetëm kundërshtarët e drejtpërdrejtë të Veliajt, por edhe shumë figura e grupe që mund të përfshihen në “rrëfimet” e tij.
Goditja e parë: Arbër Mazniku
Nuk është rastësi që menjëherë pas këtij paralajmërimi, i pari që u godit ishte Arbër Mazniku, i cili nuk u përfshi në qeverinë e re. Rama duket se e ka parë atë si një hallkë të dobët dhe potencialisht të rrezikshme.
Në fakt, vendimi i GJKKO për të hapur hetime ndaj Veliajt dhe Maznikut për prishjet në “5 Maj” duket më shumë si një lëvizje e sforcuar. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një çështje bashkiake, por me një projekt kompleks public, ndërtimin e Unazës së Madhe. Nisja e hetimit, sipas analistëve, është më tepër një shashkë për të frikësuar Veliajn dhe për t’i kujtuar Maznikut se askush nuk është i paprekshëm.
Një përplasje e koduar
Ky hetim nuk është thjesht një “kalvar” tjetër për Veliajn, por një reagim nervoz i Ramës ndaj postimit të tij. Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ankimin dhe ndoshta edhe deri te Strasburgu, Veliaj nuk pritet të hapë një përplasje të drejtpërdrejtë me Ramën. Por mesazhi i tij ishte një sinjal i qartë që nuk do të heshtë.
Për shumëkënd, ky ishte një paralajmërim se Veliaj nuk do të sulmojë direkt Ramën, por “vegla” e njerëz që i përgatitën kurthin. Një strategji që mund të jetë më destabilizuese, sepse prek shtyllat mbështetëse të pushtetit, duke e bërë kryeministrin më të pasigurt.
Siç duket, kjo është vetëm fillesa. Rama thotë se “ende nuk keni parë asgjë”, por në realitet, edhe Veliaj nuk është më i vetëm. Shumë aktorë, madje edhe jashtë Shqipërisë, mund të kenë interes që kjo përplasje të marrë përmasa më të mëdha./Pamfleti