Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediat, prezantoi masat e reja të qeverisë për kontrollin e territorit dhe mbrojtjen e hapësirave publike, duke paralajmëruar fundin e ndërhyrjeve të paligjshme në ndërtim.
“Duam t’i japim fund njëherë e mirë ndërhyrjeve të paligjshme në të gjithë territorin. Kjo është një qasje që shtrihet në të gjitha drejtimet dhe do të na japë rezultate të konsiderueshme, pasi krijon kushtet për disiplinimin e mëtejshëm të gjithë procesit të ndërtimeve,” deklaroi Rama.
Një nga risitë është rritja e përgjegjësisë së arkitektëve, të cilët do të përfshihen detyrimisht me ligj si garanci për zbatimin e projekteve. “Arkitekti kthehet në subjekt të ligjit dhe mban përgjegjësi të plotë. Në rast se i shmanget detyrimeve, është ai që paguan pasojat,” tha kreu i qeverisë.
Po ashtu, do të formalizohet mënyra e njoftimit për institucionet, duke siguruar dokumentim të plotë të çdo faze. Kontrollet do të ndahen në katër faza të qarta, ndërsa certifikata e përdorimit do të jepet vetëm pas verifikimit përfundimtar.
Një tjetër masë e fortë është vendimi që lidhja e ujit dhe energjisë elektrike të kryhet vetëm pas marrjes së certifikatës së përdorimit. Sipas Ramës, kjo është arsyeja pse shumë qytetarë mbeten pa hipotekë, pasi ndërtuesit shpesh nuk respektojnë rregullat ligjore. (A2 Televizion)
Masa e re ligjore për hapësirat publike, Rama njofton ndryshimet e reja: S’do ketë më pronë private rreth një ndërtimi, zaptuesit dhe gjykatësit të kenë kujdes
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari mbajtën sot një konferencë me gazetarët në Kryeministri.
Sa i përket sektorit të ndërtimeve, Rama paralajmëroi se arkitektët që do të merren me ndërtimet, do të kenë përgjegjësi ligjore nëse devijojnë nga plani që mund t’u kërkohet nga ndërtuesit.
Më tej ai tha se asnjë pronar shtëpie që nuk ka ende dokumentacionet përkatëse nuk do të futet në banesë.
Një tjetër pikë ku do të ketë ndryshime, janë hapësirat publike. Po ashtu ai njoftoi dhe krijimin e listës së zezë për ata që shkelin ligjin në lidhje me lejet e ndërtimit.
“Më tutje është krijimi i regjistrit kombëtar elektronik të lejeve të ndërtimit, ku do të regjistrohen të gjitha lejet të lëshuara nga të gjitha autoritetet e zhvillimit të territorit. Do jetë pikë referimi për të gjithë. Kudo ku ka një zhvill, gjithsekush do bëjë verifikim në këtë databazë.
Tjetër masë është krijimi listës së zezë dhe ndalimi për aplikim për leje ndërtimi i shkelësve të dënuara për shkelje të lejendërtimit. Do përfshijë zhvillues, kompani, individë, administratorë, ortakë, pronarë përfitues, që kanë shkelur ligjin, do përjashtohen për 5 vite”, tha Rama.
“Masë tjetër është ndjekja me teknologji e ndërtimeve, dronë, kamera”, shtoi Rama, duke thënë se masat janë të gjitha në fuqi.