Gazetari Milaim Zeka ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, duke pretenduar se zotëron prova kompromentuese për gazetarë shqiptarë që dyshohet se kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete serbe.
“Unë njoh me emër dhe mbiemër çdo gazetar shqiptar që ka shkruar kundër UÇK-së dhe luftës së Kosovës, të paguar nga shërbimi sekret serb,” u shpreh Zeka. Ai shtoi se kjo grup gazetarësh ka qenë aktiv dhe vazhdon të jetë i pranishëm nëpër studio televizive edhe sot.
Zeka theksoi se disponon prova konkrete, përfshirë përgjime të ambasadës serbe. “I kam në dorë edhe përgjimet e ambasadës serbe. Njërit, për shembull, botuesit të gazetës Bota Sot ia kam publikuar dosjen. Ai ka qenë me mision në Tiranë,” tha ai.
Zeka pohoi se i di me emra të gjithë gazetarët, në çfarë ore kanë hyrë në ambasadën serbe, cilat udhëzime kanë marrë, si dhe përgjimet e bisedave të tyre. Sipas tij, këta gazetarë vazhdojnë të shajnë UÇK-në dhe të mos e ndajnë figurën e ish-presidentit Hashim Thaçi, duke argumentuar se ai ishte “hero gjatë luftës dhe krejt tjetër më pas”.