Kryeministri Edi Rama ka garantuar se të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme nga zjarret e fundit do të dëmshpërblehen plotësisht. Në një prononcim të fundit, ai u shpreh se qeveria do të kompensojë “qindarkë për qindarkë” të gjithë ata që kanë humbur banesat apo krerët e bagëtive si pasojë e flakëve.
Sigurimi i pronave, detyrim ligjor
Për të adresuar sfidat e fatkeqësive natyrore si zjarret dhe përmbytjet, kryeministri njoftoi se qeveria po përgatit një kuadër të ri ligjor. Sipas tij, sigurimi i banesave dhe bizneseve kundër fatkeqësive natyrore do të sanksionohet me ligj, duke e kthyer atë në një detyrim për qytetarët.
“Të gjithë duhet të mendojnë dhe të marrin masa për përfshirje në skemën e sigurimit të shtëpive për fatkeqësitë natyrore,” tha Rama. Ai shtoi se po ashtu do të ketë një shtrëngim të ri ligjor për zjarrvënësit, për të penalizuar sa më rëndë rastet e zjarrvënies së qëllimshme.
Rritje page për zjarrfikësit
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë falënderoi zjarrfikësit për punën e tyre të palodhur dhe premtoi se do të ketë një rritje page për ta. “Jemi në borxh me ta për punën që kanë bërë,” theksoi ai. Kjo masë synon të njohë sakrificën e tyre dhe të forcojë kapacitetet e shërbimit zjarrfikës.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për operacionin e prishjeve që ka rinisur sërish në fshatin turistik të Thethit. Rruspat e IKMT-së, të mbështetura nga Policia e Shkodrës, mbërritën në zonën e veriut në orët e vona të mbrëmjes dhe sot në mëngjes rinisën prishjet.
“Kush ndërton më pa leje, investon vetëm për belanë e vet. Theth përsëri dhe kudo përsëri e përsëri, deri në fund, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan kryeministri Edi Rama, teksa ndan pamjet e mëposhtme.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit – IKMT ka njoftuar dhe vet mëngjesin e kësaj të shtune, datë 4 Tetor, se ka rinisur prishjen e ndërtimeve pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit.
“Janë evidentuar 13 objekte me konstruksione betonarme dhe dru. Pavarësisht aksionit të fundit në këtë zonë pak muaj më parë, konstatojmë se ka akoma individë që refuzojnë të pranojnë se lufta ndaj ndërtimeve të paligjshme është pa kthim”, thotë njoftimi.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit u bën thirrje subjekteve dhe qytetarëve, se zbatimi i ligjshmërisë, mbrojtja e natyrës dhe e mjedisit duhet të jetë detyrim për të gjithë.