Pas borës historike që mbuloi ultësirat e Kosovës, moti ka nisur të përmirësohet sot, me intervale kohore me diell dhe rritje të lehtë të temperaturave. Megjithatë, ky përmirësim do të jetë i shkurtër, pasi një front i ri i ftohtë po i afrohet rajonit.
Ndërrimi i shpejtë i motit
Si pasojë e afrimit të një cikloni kalimtar nga deti, pasditen e së dielës do të fryjnë erëra të ngrohta nga jugperëndimi. Këto erëra, së bashku me rrezet e diellit, do të ndikojnë në rritjen e dukshme të temperaturave.
Megjithatë, ky ndryshim i favorshëm do të jetë i shkurtër. Natën mes të dielës dhe mëngjesin e së hënës, fronti i ftohtë do të ndryshojë drejtimin e erërave, të cilat do të fillojnë të fryjnë nga veriu dhe veriperëndimi. Këto erëra të ftohta do të shoqërohen me vranësira të dendura dhe me reshje të reja shiu.
Reshje shiu dhe ulje temperaturash në rajon
Në Kosovë, reshjet e shiut do të fillojnë në orët e vona të së dielës, ose në mëngjesin e së hënës. Kësaj radhe, temperaturat do të ulen, por jo aq sa për të sjellë borë në zona të ulëta. Reshje bore priten vetëm në viset e larta malore.
Në Shqipëri, dita e diel do të jetë me diell dhe vranësira, me erëra nga jugu. Por në orët e vona të mbrëmjes do të nisin rrebeshe shiu, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullima, sidomos në zonat bregdetare dhe ato afër tyre. Gjatë natës, reshje intensive shiu priten në shumë pjesë të vendit. Në fillim të javës, moti do të përmirësohet, sidomos në perëndim.
Në Mal të Zi, rrebeshe intensive shiu priten në orët e vona të së dielës. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, reshjet e shiut priten mëngjesin e së hënës.
Sipas parashikimit të “MeteoBallkan”, erërat relativisht të ftohta nga veriu do të na shoqërojnë gjatë dy-tre ditëve të para të javës së re, me reshje lokale shiu herë pas here.