“Ishalla vr*s dike shpejt, se po m’del vetja nga qejfi”, Ermir Dedja lutej në Zot për të kryer vr*sje: Ta nisim vitin mbarë, o Allah!

Hetimet e fundit nga SPAK kanë hedhur dritë mbi një sërë ngjarjesh kriminale që kanë trazuar vendin për vite me radhë, të lidhura me përplasjet e ashpra mes grupeve kriminale, veçanërisht atij të Shijakut dhe Durrësit.

Një prej zbulimeve më të bujshme vjen nga transkriptimi i komunikimeve të koduara në aplikacionin Sky ECC, ku dyshohet se është zbuluar porositja dhe planifikimi i vrasjes së shtetasit Edmir Bregu. Bisedat e shkëmbyera mes dy personave, Ermir Dedjas dhe Elidon Avdylit, përbëjnë prova kyçe.

Këto mesazhe datojnë më 21 tetor 2020 dhe zbulojnë dërgimin e mesazheve vetëm nga njëra palë, Ermir Dedja, drejtuar Elidon Avdylit, ku bëhet fjalë për planifikimin e një veprimi.

Në mesazhin e parë, Ermir Dedja i referohet Edmir Bregut si “Malo” dhe thekson nevojën për ta survejuar atë pa ndërprerje, kundrejt pagesës. Ai shpreh urgjencën për të vepruar, duke treguar se gjendja nuk ishte “në terezi” dhe se nuk kishte më asgjë për të humbur.

“Ça po bën, Vlla. si po kalon, krej mirë vlla. Kam bisedu me i rob për punën e malos me e rujt e me ju vu non stop. Po do më kthejë përgjigjë. Për punë lekësh sa do i thash. Se duhet me bo llapitje sesbon se s’kemi gjë në terezi. S’kam ça me humb mo, vetëm marësi ju uroj vetes dhe ju o zot.”

Një ditë më vonë, më 22 tetor 2020, rreth mesditës, Dedja i shkruan sërish, duke theksuar gjendjen e tij të shqetësuar dhe nevojën imediate për të “bërë ndonjë goditje” për t’u rimëkëmbur, pasi po i ikte “vjetja nga qejfi”. Ai e pyet bashkëbiseduesin se çfarë po bën dhe i kërkon të transmetojë një mesazh tjetër te një person që e quan “kapo”, duke e pyetur nëse “i ka gjallë a vdek” brenda atij muaji dhe e cilëson atë si “i rrezikshëm”.

“Ça po bon vlla. Si je, mirë kapo këtu ke lagjja, sa po pi i kafe, po pres i shok t’vi me taku. E mos vi takoj pastaj. Mrena kti muj i ke gjall a vdek thuj kapos, i rrezikshëm je. Hahahahhahha vllai jot ska 2 qind lek t’vogla nxhep hahahhaha. O Allah sa me shpejt naj goditje, t’morrim icik veten. Se kshu po mdel vetja ka qefi”.

Më 25 tetor 2020, në orën 18:05, Ermir Dedja e njofton Elidon Avdylin se ndodhej në terren me një person të quajtur “Pirati” dhe një shok tjetër. Ai specifikon se do të lërë një tjetër të njohur, “Kelin”, së bashku me një shok, për të kryer një kontroll me makinë në zonë. Ai shpreh një dëshirë për një fillim të mbarë për vitin 2020.

Në një mesazh pas 7 minutash, në orën 18:12, Dedja shpreh vendosmërinë për ta kryer veprimin me çdo kusht, duke thënë se këtë gjë e kishte fiksim. Ai beson se shënjestra do të binte shumë shpejt në kurth dhe, menjëherë pas kësaj, kërkon ndihmë financiare për rregullimin e makinës.

“Ca po bën kapo. Tashi sa do e lej Kelin me i shok me makinë. Ta nisim me marësi këtë vit që vjen. Do ë bëjmë sesbën, maje mend pra. Mos sot, nesër do bjerë në grackë. 120 euro a ke mundësi të mi japësh se doja të rregulloja makinën”.

Nga tërësia e këtij komunikimi, organet e hetimit dyshojnë se Ermir Dedja dhe bashkëpunëtorët e tij po kryenin kontroll të përditshëm në qytetin e Durrësit me qëllim gjetjen dhe eliminimin fizik të shtetasit Edmir Bregu. Këto detaje vijojnë të jenë në fokusin e hetimit për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të grupeve të përfshira.