Familjet banuese në ish-Shkollën e Rezervave të Shkodrës kanë reaguar për mediat pas ngjarjes tronditëse të ndodhur ditën e sotme në Gjykatën e Aplelit ku gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua nga Elvis Shkambi pasi xhaxhai i tij humbi procesin gjyqësor, i cili pretedonte pronësinë e kësaj ndërtese.
Aktualisht banues në atë godinë, janë 31 familje të zhvendosura me banim aty që prej vitit 1993 me vendim të Bashkisë së Shkodrës.
Banorët e zonës tregojnë se kjo pronë ka qenë e shtetit dhe ish-kryebashkiaku Lorenc Luka ia ka kaluar në pronësi Gjon Shkambit pa një vendim të firmosur nga Këshilli i Ministrave në vitin 2012.
Ndër të tjera ata tregojnë se janë kërcënuar vitin e kaluar nga Gjon Shkambi, i cili u ka shkuar banorëve i armatosur për t’i nxjerrë jashtë nga godina.
“Ne na ka strehuar bashkia në ’93. Kemi ndenjur, e më pas në 2012 kanë ardhur Shkambi kanë thënë është ndërtesa ime. Na kanë nxjerrë nëpër gjyqe, kemi punuar e kemi derdhur para për këtë ndërtesë. Tani na kanë bërë presion që të lëshojmë shtëpinë. Kemi nejtur në tension, fajet i ka bashkia që na ka dhënë ne e më pas ia ka shitur edhe atij. Ne na e ka dhënë e më pas atij ia ka shitur. Njehemi shumë keq, më zi nuk ka më. Më mirë kishim dalë në rrugë të madhe se sa të kishin vrarë gjyqtarin. Më mirë të na kishin vrarë ne”, tha njëri prej banorëve në konflikt me Shkambajt.
Për banorët, përgjegjësi kryesor për këtë ngjarje fatale është Lorenc Luka, i cili me firmën e tij i ka kaluar familjes Shkambi pronësinë e godinave shtetërore.
Sipas tyre, Gjon Shkambi disponon vetëm dokumente false pasi nuk ka asnjë akt trashëgimie nga paraardhësit e tij që të vërtetojë pretendimet e Gjon Shkambit.