“Isha 12 vjeç kur e ekz*kutuan”/ Tr*ndit djali i Teme Sejkos: TRA8JEDITË pasuan me vëllain dhe mamanë

Teme Sejko u ekzekutua nga regjimi komunist i akuzuar për grusht shteti ndaj diktatorit Enver Hoxha. Bashkë me ekzekutimin e Teme Sejkos, u pushkatuan edhe 5 anëtarë të komunitetit çam, u dënuan edhe 63 persona të tjerë me 1250 vite burg.

Sot, pas shumë vitesh, i biri i Teme Sejkos rrëfen për “Exclusive” në Top Channel, kalvarin e gjatë të dhimbjes që mbarti ndër vite familja e tij.

Në maj 1959 Hrushovi vizitoi Shqipërinë për 2 javë. Në këtë vizitë u shpreh me vlerësime të veçanta për Teme Sejkon, admiralin shqiptar që kishte studiuar në akademinë ushtarake në Moskë. Ky respekt publik i Hrushovit sipas dëshmive i ngjalli pakënaqësi udhëheqjes shqiptare. Dhe nuk vonoi shumë, në 1960 regjimi deklaroi se 3 shtete, Jugosllavia, Greqia dhe SHBA po përgatisnin rrëzimin e socializmit në Shqipëri në bashkëpunim me grupe armiqësore brenda vendit. Teme Sejko ishte komandant i njohur i luftës Nacional- Çlirimtare, ushtarak i lartë në disa role, afër sovjetikëve, përfaqësues i komunitetit çam, disa prej të cilëve ndiqeshin si të lidhur me Greqinë dhe kishte informacione që i lidhnin edhe me CIA-n.

Rajmond Sejko, djali i vogël i Teme Sejkos dhe i vetmi që mbeti gjallë nga persekutimi i familjes së tij, tregon momentin e arrestimit të babait.

“Isha duke luajtur te veranda e shtëpisë së gjyshit në Tiranë. Vijnë dy persona me kasketa, dhe më thonë ‘ku është mamaja’. I tregojmë derën e dhomës dhe u futën atje. Pas 10 minutash dëgjojmë një ulërimë të madhe të mamasë dhe nuk po merrnim vesh çfarë po ndodhte. Ata qëndruan 1 orë atje, kontrolluan çfarë deshën dhe ikën. Kur u futëm ne atje mamaja kishte kaluar në ‘shock’ dhe gjyshja na tha ‘dilni përjashta’. Mamaja ishte gjithë ditën në atë gjendje, të nesërmen e mblodhi veten. Ishte ora 11, babai ishte arrestuar në orën 10”, thotë Rajmond Sejko, i cili tani jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ishte 12 vjeç kur Teme Sejko u ekzekutua dhe trupi i tij u zhduk pa asnjë gjurmë nga regjimi i kohës.

Megjithatë kujtimet e Rajmondit për të atin, janë më pak se 12 vjet.

“Ai iku 2 vjet e gjysmë në Moskë. Isha në klasë të parë kur iku në Moskë, iku deri në dhjetor 1957. Kur e çuan në birucë dhe Mihallaq Ziçishti i tha kushëririt të tij ‘shko pri disa shkopinj shkoze’. E goditi Mihallaqi i pari dhe e godiste deri sa thyheshin shkopinjtë. Njëri prej tyre atje, Qemal Birçe erdhi dhe ta “Temen e kanë rrahur dhe është pothuajse i vdekur”, tregon Rajmondi për Mentor Nazarkon në Exclusive.

Ekzekutimi i Teme Sejkos ishte vetëm nisja e kalvarit të persekutimit të familjes së tij. Djali i madh u pushkatua në moshën 23-vjeçare, ndërsa e ëma u vetëvra pasi nuk përballoi dot humbjen e të birit dhe bashkëshortit.

“Im vëlla u arrestua në qershor 1973. U akuzua se do digjte Kombinatin. Gjyqi filloi në 25 janar 1974 dhe ishte mosha 23 vjeç kur u dënua me vdekje. Në 6 mars e kanë pushkatuar. E famshme është fjala e tij e fundit kur e pyetën. Ai tha që “kur isha 9 vjeç, mua dhe njerëzit e tjerë të familjes nuk na takuat me babain. Edhe tani që unë u dënova me vdekje nuk më takuat me familjen. Kthehu kokën nga skuadra e pushkatimit dhe tha ‘afrohuni dhe qëlloni’”, rrëfen Rajmond Sejko.

Gjatë emisionit Exclusive djali i vogël i Teme Sejkos u takua edhe me Fatos Lubonjën, bashkëvajtjen e tij në burgun e Spaçit.

“Qëkur vajta në Spaç, Fatosi (Lubonja) kishte vajtur disa muaj para meje dhe unë vajta në qershor 1975. Fatosin e ridënuan dhe e sollën atje ne te dhe revolta e tij ishte që ‘nuk punoj se jam i burgosur politik’. Kur shkova në Spaç ishin 700 vetë dhe dhomat kishin krevate marinari. Pas 2 vjetësh u bënë 1500 të burgosur dhe kishte nga 52 vetë në një dhomë”, kujton i biri i Teme Sejkos. /Top Channel/