Ish-banorja e Big Brother VIP Albania, Mikela Pupa, ka reaguar në rrjetet sociale për ngjarjen tragjike që ndodhi dje në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje, pas një seance gjyqësore për një çështje pronësie.
Në një postim në Instagram, Mikela ka treguar se ndodhej në trafik kur pa një autokolonë policore dhe ambulanca që po lëviznin me urgjencë drejt vendngjarjes. Ajo ka shprehur shqetësimin dhe trishtimin e saj të thellë se ku po rrit vajzën në këtë vend.
Postimi i plotë i Mikelës:
“Sot si çdo ditë tjetër, isha në rrugët e Tiranës, në kulmin e trafikut, mes zhurmës së borive që biën sapo hapet semafori, duke u munduar të mbaja korsinë time, edhe pse makinat ishin në garë se kush të kalonte e para. Papritur pashë një ndodhi që nuk e kisha hasur më parë. E hutuar në makinë, ndërsa i këndoja Aurës, po vinin një varg motorësh policie. Njëri prej tyre më ra në xham që të hapja krahun. Në panikun e tyre, hyra edhe unë dhe u spostova sa munda. Ishin shumë motorë, dy ambulanca dhe makina të blinduara. “Zot çfarë ka ndodhur?”, thashë më vete. Mendova se ndoshta kishte ndodhur ndonjë aksident dhe u luta të ishin gjallë. Por kur hapa rrjetet sociale, pashë që kishte ndodhur një ngjarje tragjike, e frikshme: në dyert e drejtësisë, pikërisht në sallën e gjyqit, ishte vrarë gjyqtari. U trishtova, u ligështova. “Zot ç’bëhet në këtë vend”?, thashë përsëri.Pashë vajzën time dhe ndjeva keqardhje ta rris në këtë vend”.
