Ambasadori i ri i SHBA apo një McGonigal i dytë? Misteret e vizitës së Kryebashkiakut te New York në Shqipëri

Mediat ndërkombëtare ngrenë pikëpyetje mbi vizitën e kryebashkiakut të New York-ut në Shqipëri…

Vizita e papritur e kryebashkiakut të New York-ut, Eric Adams, në Shqipëri ka ngritur pikëpyetje të mëdha, jo vetëm në mediat shqiptare, por edhe në shtypin ndërkombëtar.

Një udhëtim i paralajmëruar në mënyrë të beftë, i financuar pjesërisht nga qeveria shqiptare dhe i shoqëruar me mesazhe të mjegullta për “turizëm dhe ekonomi”, ka ndezur spekulime për qëllimet reale të këtij “misioni ballkanik”.

Eric Adams, një figurë e kontestuar në politikën amerikane, njoftoi vetëm pak ditë më parë se nuk do të garojë për një mandat të dytë si kryebashkiak i metropolit më të madh të Amerikës. Dhe në vend që të fokusohej në dorëzimin e pushtetit apo përgatitjen e një karriere të re në SHBA, ai vendosi të ngjitet në avion për një udhëtim në një nga vendet më të vogla të Ballkanit: Shqipërinë.

Sipas gazetës britanike “The Independent”, Adams ka deklaruar se udhëtimi është “striktisht për interesa të qytetit të New York-ut”, për të forcuar lidhjet ekonomike dhe për të promovuar turizmin. Ai pritet të takojë kryeministrin shqiptar, përfaqësues të biznesit dhe teknologjisë, të vizitojë fabrika dhe të diskutojë mundësi investimi. Por pavarësisht këtij versioni zyrtar, shumëçka rreth kësaj vizite nuk përputhet me protokollet standarde të një kryebashkiaku amerikan.

Ambasadori i ri i SHBA apo një McGonigal i dytë? Misteret e

Adams, që më parë ishte përballur me akuza federale për marrje ryshfeti nga qeveria e Turqisë, përmes udhëtimeve luksoze të sponsorizuara, është sot subjekt i një vëmendjeje të re: jo më për korrupsionin brenda SHBA-së, por për lëvizjet e tij në arenën ndërkombëtare. Edhe pse akuzat ndaj tij u hodhën poshtë gjatë administratës Trump, shumë analistë e kanë parë këtë si një “marrëveshje politike në prapaskenë”, një shkëmbim favoresh për mbështetje në temat e emigracionit dhe rregullave të brendshme.

Në këtë sfond, vizita e tij në Shqipëri nuk është thjesht një “turizëm institucional”. Është një lëvizje që vjen në një moment kritik: SHBA nuk ka ende një ambasador të emëruar në Tiranë, ndërsa disa raportime nga New York Post përmendin biseda të mundshme mes ekipit të Trump dhe Adams për një rol diplomatik të mundshëm në rajon. Sipas këtyre zërave, Trump mund të ketë propozuar emërimin e Adams në një post ndërkombëtar nëse ai do të tërhiqej nga gara për bashkinë e New York-ut, gjë që Adams realisht e bëri.

Një tjetër detaj intrigues është fakti që qëndrimi i tij në Shqipëri është mbuluar pjesërisht nga qeveria shqiptare. Sipas burimeve të huaja, ndërsa udhëtimi ajror është paguar nga qyteti i New York-ut, akomodimi dhe transporti tokësor janë sponsorizuar nga Tirana zyrtare. Ky është një precedent delikat: një politikan amerikan që merr mbështetje financiare për një vizitë “private-institucionale” nga një qeveri e huaj, ndërkohë që nuk përfaqëson asnjë institucion federal amerikan në mënyrë zyrtare. Ky lloj afërsie mes një politikani problematik nga SHBA dhe një qeverie ballkanike që ka nevojë për lidhje në Uashington ngre dyshime të natyrshme për ndikim të ndërsjellë, favore të fshehta apo projekte të padeklaruara.

Ambasadori i ri i SHBA apo një McGonigal i dytë? Misteret e

Për më tepër, nuk është hera e parë që Shqipëria përfshihet në skandale me figura të larta nga SHBA. Rasti më famëkeq mbetet ai i Charles McGonigal, ish-agjentit të FBI-së që u arrestua për lidhje të fshehta me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri. McGonigal përdori statusin dhe ndikimin e tij për të ndërhyrë në çështje të brendshme shqiptare, duke përfituar në mënyrë të dyshimtë nga marrëdhëniet e tij me autoritetet vendase. Rasti i Adams, ndonëse me kontekst tjetër, vjen me nuanca të ngjashme: një figurë amerikane me precedentë, që ndërton marrëdhënie të afërta me qeverinë shqiptare në kushte jo të qarta.

Por pyetja që mbetet pa përgjigje është: pse tani? Pse në këtë moment kritik, kur Adams është jashtë gare, i lirë nga detyrimet publike dhe i përballur me të kaluarën e tij të trazuar, zgjedh të vizitojë Shqipërinë, një vend që prej kohësh është kthyer në epiqendër të interesave të ndërlikuara amerikane në Ballkan? /Pamfleti